LAJMI I FUNDIT:

“Jonuz Musliu, lideri i luftës dhe paqes”

“Jonuz Musliu, lideri i luftës dhe paqes”

Jonuz Musliu me veprat e tij do të mbetet personalitet i kohës, duke lënë gjurmë të mëdha në historinë e kombit.

Kështu u tha në njëvjetorin e ndarjes nga jeta në një akademi përkujtimore për Jonuz Musliun, në kuadër të Manifestimit Shumë-kulturor “Flaka e Janarit 2019” sot në Gjilan.


Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, tha se Jonuz Musliu me veprat e tij do të mbetet personalitet i kohës, duke lënë gjurmë të mëdha në historinë e kombit.

“Do të mbahet mend si politikan i vendosur, i besueshëm, njeri i dijshëm dhe komunikues. Ai ka lënë gjurmë në avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Kosovën Lindore, andaj sot me krenari e kujtojmë si lider të luftës dhe të paqes”, tha Ismajli.

Deputeti Ismajl Kurteshi, ish-shok i burgut i Jonuz Musliut, tha se Jonuz Musliu punoi që Kosova Lindore të bëhet pjesë e trojeve të pavarura shqiptare dhe se veprën e tij do ta vazhdojnë veprimtarët e Luginës së Preshevës, përcjell Telegrafi.

Ndërsa, bashkëveprimtari i Musliut, Fismet Sylejmani, tha se Jonuzi shkoi atëherë kur më së shumti i duhej Luginës së Preshevës.

“Ai po dëshmohet se ishte personalitet i madh dhe se Lugina e Preshevës mbeti pa liderin, por besojmë se fryma e tij do ta shoqërojë çdo lider në Luginë, andaj po dëshmohet se gjeneratat e reja po mësojnë nga vepra e Jonuzit”, pohoi Sylejmani.

Në emër të familjarëve, ka folur i biri i Jonuz Musliut, Shqipërimi, i cili për babin e tij tha se “në janar lindi dhe në janar shkoi dhe se po dëshmohet se Jonuz Musliun fati e përcolli në të gjithë janarit e lavdishëm, ngase pas gjashtë ditësh më 26 janar është datë kur publikisht në skenë doli UÇPMB-ja, kohë kur pas përfundimit të luftës, forcat serbe u sistemuan në Luginë të Preshevës”.