LAJMI I FUNDIT:

Jo, zgjedhjeve të parakohshme!

Menjëherë pas dorëheqjes së presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, dolën disa zëra të cilët trumbetonin për zgjedhje të mundshme të parakohshme në ditët në vijim. Se është e pamundur mbajtja e një procesi zgjedhor të mirëfilltë demokratik këtë vit e dëshmojnë shumë faktorë. Kur kihet parasysh fakti se zgjedhjet e fundit komunale dëshmuan për një proces zgjedhor të organizuar tepër dobët, dihet se sa do të ishte e mundshme të organizohen zgjedhje të mirëfillta për një periudhë kaq të shkurtër. Mbajtja e zgjedhjeve parlamentare këtë vit do të thoshte shuplak për partitë të cilat janë në konsolidim e sipër e në veçanti ky fakt do ishte shuplakë fytyrës për lëvizjen “VETËVENDOSJE!”, grupacion ky i cili pritet të marrë një përqindje të madhe të votuese në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Pa dashur te merrem gjatë me dorëheqjen e Sejdiut, jam i mendimit se “ky kurth” që i kurdisi partia në pushtet nuk qe i rastësishëm. PDK faktikisht deshi që me dorëheqjen e Sejdiut të krijojë një boshllëk institucional me qëllim të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme. Disa edhe mund të befasohen me faktin se, pse partia në pushtet nuk është kundër mbajtjes së zgjedhjeve. Mirëpo, nisur nga një logjikë e thjesht del se kjo parti dëshiron mbajtjen e zgjedhjeve pikërisht në këtë kohë me qëllim që partitë rivale t’i gjejë të “pa konsoliduara”.


Lëvizja “VETËVENDOSJE!” është në fazën fillestare të organizimit të saj të brendshëm, ku ende nuk është shfaqur me një program final të detajuar me të cilin do të mund t’i bindë qytetarët që të votohet pikërisht për këtë të fundit. AAK është e hendikepuar, meqë Ramush Haradinaj gjendet në Tribunalin e Hagës, LDK është duke u marrë me organizimin e zgjedhjeve partiake, pra LDK aktualisht nuk paraqet ndonjë rrezik të madh për partinë në pushtet në veçanti tani kur Lidhja Demokratike e Kosovës është në një fazë të riorganizimit të saj në të gjitha planet. Ndërsa partitë tjera opozitare edhe ashtu nuk do të mund të paraqesin ndonjë “kërcënim” serioz për Partinë Demokratike të Kosovës.

Arsyeje tjetër shtytëse për PDK-në e cila në njëfarë mënyrë është pro mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, do të mund të jenë edhe bisedimet e ardhshme me Serbinë. Pse? Meqenëse në këto bisedime Kosova do të dalë humbëse, meqë për një njohje eventuale të pavarësisë së Kosovës nga shteti serb, ky i fundit do të kërkojë plotësimin e shumë orekseve (gjë që për qytetarët shqiptarë të Kosovës do të konsiderohen si kompromise tepër të dhimbshme, dhe duke e pasur parasysh këtë fakt), Hashim Thaçi dëshiron që të mos jetë i vetmuar në këtë aventurë tepër të rrezikshme për karrierën e tij politike. PDK dëshiron që në këtë sfidë me të cilën duhet të ballafaqohet Kosova, e cila për mendimin tim do të jetë më e vështira që nga shpallja e pavarësisë, mos ta ndjejë mbi supet e saj tërë barrën e kompromiseve të dhimbshme që do të duhet t’i pranojë Kosova karshi Serbisë.Detyrimisht nëse do të kemi një përbërje të tillë të institucioneve të Kosovës në kohën kur do të fillojnë bisedimet me Serbinë, atëherë për çdo dështim eventual, përgjegjësinë do ta bartë partia në pushtet, ngase postet kryesore shtetërore aktualisht janë në duart e Partisë Demokratike të Kosovës.

Pavarësisht epsheve të PDK-së, unë do t’i sugjeroja liderët e partive të tjera politike në Kosovë që në asnjërën mënyrë të mos pranojnë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, ngase ky do të ishte një infuzion për partinë në pushtet, e cila dëshiron ta fitojë edhe një mandat të dytë, ani pse në këtë periudhë të qeverisjes së saj është treguar tejet e papërgjegjshme karshi interesave të qytetarit të vendit. Përfundimisht, zgjedhjet e ardhshme të organizuara në Kosovë do të duhej të shiheshin edhe si fundi i dinastisë së PDK-së. Njëmendet.