Jo vetëm transferim, por status ylli: Man City e shpërblen Guehin me superpagë

Manchester City është shumë pranë finalizimit të transferimit të kapitenit të Crystal Palace, Marc Guehi, por ajo që po tërheq vëmendjen më të madhe është paga që pritet të përfitojë qendërmbrojtësi anglez në “Etihad”.
Sipas raportimeve të fundit, Guehi ka arritur tashmë një marrëveshje verbale për kushtet personale dhe pritet të nënshkruajë një kontratë 5-vjeçare e gjysmë me kampionët e Anglisë.
Me këtë kontratë, 25-vjeçari do të futet menjëherë në mesin e dhjetë lojtarëve më të paguar në skuadrën e Pep Guardiolës.
Raportohet se paga e Marc Guehi do të jetë rreth 300 mijë funte në javë, një shifër që e vendos atë në elitën e hierarkisë financiare të Manchester Cityt dhe që reflekton besimin e madh të klubit në cilësitë dhe rëndësinë e tij për të ardhmen.

Sa i përket marrëveshjes mes klubeve, City dhe Crystal Palace kanë një akordim në parim për një shumë fillestare prej rreth 20 milionë funte, me bonuse që mund ta çojnë vlerën totale të transferimit afër 30 milionë funteve. Palace ka pranuar ofertën duke pasur parasysh edhe rrezikun e humbjes së lojtarit pa pagesë në fund të kontratës.
Me këtë lëvizje, Manchester City jo vetëm që forcon mbrojtjen me një nga qendërmbrojtësit më të vlerësuar në Angli, por gjithashtu dërgon një sinjal të qartë se Marc Guehi shihet si një figurë kyçe e projektit afatgjatë të klubit./Telegrafi




















































