JO Spanja, PO Brazili

Kampioni i Evropës dhe botës ishte skuadër inferiore përballë lojtarëve të Selecaos që luftonin me të gjitha forcat për ta nënshtruar kundërshtarin. Një ndihmesë të madhe bashkëkombësve të tyre në fushë ua jepnin edhe tifozët me atmosferën e jashtëzakonshme në stadiumin Maracana.
Pas një harkimi të Hulk, Fred u rrëzua para portës, por nga pozita e shtrirë e mposhti Casillasin (2’).
Brazilianët kanë mundur ta ngrenë edhe më shumë epërsinë me anë të Oscar, Paulinho e sidomos Fred, goditjen e të cilit e mbrojti portieri spanjoll.
Rastin e vetëm për të shënuar për La Roja e pati Pedro, mirëpo David Luiz nuk lejoi që topi ta kalonte vijën fatale.
Dhe për ‘eksplodimin’ e Maracanas në fund të pjesës së parë u përkujdes Neymar, i cili pranoi një asistim nga Oscar, për ta lënë të pashpresë Casillasin me të majtën (44’).
Si në fillim të pjesës së parë, ashtu edhe në dy minutat e para të pjesës së dytë, Fred pranoi asistimin e Hulk për ta shënuar golin e dytë personal (47’).
Se kjo nuk ishte mbrëmja e Furisë së Kuqe e dëshmoi edhe Sergio Ramos duke huqur penaltinë që iu dha përfaqësueses së tij (54’).
Brazili ka mundur të shënojë gola të tjerë deri në fund të takimit, përballë një Spanje të dobët në këtë përballje. Për më shumë, Pique u përjashtua me karton të kuq pas ndërhyrjes në Neymar si lojtar i fundit (68’).
Ky është triumfi i katërt i Brazilit në këtë kupë dhe i treti radhazi (1997, 2005, 2009, 2013). Spanja, nga ana tjetër, do të vazhdojë të mos e ketë në sirtar këtë trofe. /Telegrafi/
























































