Nga: Milan Kundera (pasthënia për botimet amerikane, italiane dhe gjermane të romanit “Jeta është tjetërkund”)
Përktheu: Alket Çani
“Jeta është tjetërkund” është një referencë e fjalisë së famshme të Rimbaud-it. André Breton-i e citon në përfundim të Manifestit të mbirealizmit. Në Paris, në maj të vitit 1968, studentët e shkruan si një parullë mbi muret e Sorbonës. Por titulli origjinal i romanit ishte Koha lirike. E ndryshova kur pashë tmerrin në fytyrën e botuesve të mi që dyshonin nëse ndokush do mund të blinte një roman me një titull kaq abstrakt.
Koha lirike është rinia. Romani im është një epope e rinisë, një analizë e asaj që unë e quaj qëndrim lirik. Qëndrimi lirik është njëra nga mundësitë e gjithkujt, njëra nga kategoritë themelore të ekzistencës njerëzore. Nëse poezia lirike, si zhanër letrar, ka ekzistuar gjithmonë, kjo ka ndodhur ngaqë gjithmonë qëndrimi lirik është tipik për njeriun. Poeti është mishërimi i qëndrimit lirik.
Poeti, duke nisur me Danten, është gjithashtu personazhi madhështor që përshkon Historinë e Evropës. Ai është simboli i identitetit kombëtar (Camoes, Goethe, Mickiewicz, Pushkin), zëdhënësi i revolucioneve (Béranger, Petëf, Majakovski, Lorca), zëri me të cilin flet Historia (Hugo, Breton), ai është një mit, objekti i një kulti pothuajse fetar (Petrarka, Bajron, Rimbaud, Rilke) dhe, mbi të gjitha, përfaqësuesi i një vlere shumë të shenjtë, emrin e së cilës ne jemi gati ta shkruajmë me germë të madhe: Poezisë.
Por, ç’ka ndodhur vallë me poetin europian në rrjedhë të gjysmës së dytë të shekullit XX? Zëri i tij mezi dëgjohet. Pa e vënë re askush, poeti e ka braktisur skenën e madhe dhe të zhurmshme të botës. Për shkak të ironisë djallëzore të Historisë, e fundmja periudhë e shkurtër ku ai luajti sërish rolin e tij të madh publik ishte epoka e revolucioneve komuniste në Evropën Qendrore, në vitet që pasuan mbarimin e Luftës së Dytë Botërore.
Më duket e rëndësishme të theksoj se këto pseudorevolucione të çuditshme, të importuara nga Rusia e të kryera nën mbrojtjen e një ushtrie dhe një policie të huaj, qenë të mbushura me psikologjinë tipike për revolucionet autentikë e të jetuar nga partizanët e tyre me një patos, një entuziazëm, një engjullizëm dhe një besim eskatologjik në ardhjen e një bote krejt të re. Gjatë atyre viteve, për herë të fundit, poetët e gjetën veten në ballë të skenës. Ata kujtuan se po luanin rolin e tyre të zakontë në dramën e famshme të Evropës, pa dyshuar se drejtori i teatrit e kish ndryshuar papritmas programin dhe se ata po ndodheshin në mes të një farse të zezë.
E kam parë nga shumë afër atë epokë ku “poeti mbretëronte së bashku me xhelatin”. Kam dëgjuar atëherë poetin tim të preferuar, Paul Eluard-in, të mohonte, madhërisht e faqe botës, mikun e tij pragez që drejtësia staliniste e kish dënuar me vdekje. Ky episod (për të cilin flas te Libri i qeshjes dhe harresës) ishte për mua një tronditje e thellë: Kur një xhelat vret, kjo është, tekefundit, brenda rendit të gjërave. Por nëse poeti (për më tepër një poet i madh) bëhet psalt i kësaj vrasjeje, sistemi i vlerave, që ishte konsideruar si i paprekshëm, tronditet i tëri. Nuk ka më asnjë siguri, gjithçka bëhet problem, çështje, objekt shqyrtimi dhe dyshimesh: Progresi dhe Revolucioni. Rinia. Amësia. Por edhe Njeriu. Gjithashtu Poezia. Kam parë para vetes botën e vlerave të tronditura dhe, në mendjen time, ngadalësisht, përgjatë vitesh të tërë, si lindte personazhi i Zharomilit dhe bashkë me të nëna e tij dhe vajzat që ai dashuroi.
Mos më thoni që Zharomili është një poet i keq! Ky do ishte një shpjegim që i kushton pak rëndësi historisë së jetës së tij. Zharomili është një poet i pajisur me ndjeshmëri dhe me një përfytyrim të madh. Është një djalë fin. Është gjithashtu një monstër. Por monstruoziteti i tij është virtualisht i pranishëm brenda secilit prej nesh. Është tek unë. Është tek ju. Është te Rimbaud-i. Është te Shelley, është tek Hugo-i. Është brenda çdo djaloshi të çdo kohe e të çdo regjimi. Zharomili nuk është një produkt i komunizmit. Komunizmi ka nxjerrë në dritë vetëm aspektet e tij të fshehura, vetëm sa ka çliruar atë që, në rrethana të tjera, do kishte fjetur tek ai qetësisht.
Ndonëse historia e Zharomilit dhe e nënës së tij ndodh në një moment historik të përcaktuar, të cilin jam përpjekur ta rikthej tëpkë (pa më të voglin synim satirik), nuk kisha si qëllim përshkrimin e epokës. “Nëse ne zgjodhëm ato vite, këtë e bëmë jo sepse deshëm t’u ravijëzonim atyre portretin, por vetëm sepse ato vite na dukeshin se ishin një kurth i pakrahasueshëm i ngritur ndaj Rimbaud-it dhe Lermontovit, një kurth i pakrahasueshëm i ngritur ndaj poezisë dhe rinisë.” Ndryshe thënë: për një romancier, një situatë historike bëhet një laborator antropologjik në të cilin ai studion pyetjen e tij kryesore: ç’është ekzistenca njerëzore? Në rastin e këtij romani, me shumë pyetje vijuese: ç’është qëndrimi lirik? Ç’është rinia? Çfarë roli të fshehtë luan nëna gjatë formimit të universit lirik të një djaloshi? Dhe, nëse rinia është mosha e papjekurisë, cila është marrëdhënia midis papjekurisë dhe etjes për absoluten? Po midis etjes për absoluten dhe entuziazmit revolucionar? Dhe në ç’mënyrë qëndrimi lirik shfaqet te dashuria? A ekzistojnë “format lirike” të dashurisë? Etj., etj.
Të gjitha këtyre pyetjeve, romani, sigurisht, nuk u jep asnjë përgjigje. Përgjigjja janë vetë pyetjet; sepse, siç e ka thënë Heidegger-i, thelbi i njeriut ka karakterin e një pyetjeje. /Revista “Palimpsest/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Kompletoje look-un me 50% zbritje
Rahatoj kamt’ qysh është ma s’miri këtë verë
Më të lexuarat
Detaje se si Michael Schumacher komunikon me familjarët pas 'paraqitjes së parë publike' në 11 vjet
“Me emër të Zotit, veç mos u mërzitni” – pamje e rrallë, Kadri Veseli me ushtarët e UÇK-së
Një pajisje përgjimi u gjet në banjën time pas vizitës së Netanyahu, pohon Boris Johnson
Genta Ismajli përfshihet në një aksident me makinë në Amerikë
Policia e Kosovës bëhet me dhjetëra automjete të blinduara
A do të funksionojë bonusi për shoferët në Gjermani, për t'i nxitur ata të blejnë automjete elektrike?