Këngëtarja e njohur britanike, Jessie J, ka ndarë me publikun një periudhë shumë të vështirë dhe të ndjeshme në jetën e saj personale: betejën me kancerin e gjirit.

37-vjeçarja, emri i vërtetë i së cilës është Jessica Ellen Cornish, ka zbuluar se iu nënshtrua një mastektomie në muajin qershor 2025, pasi mori një diagnozë të papritur përpara publikimit të këngës së saj “No Secrets”, në muajin prill.


Fillimisht, Jessie ishte duke u përgatitur për një rikthim të fuqishëm në skenë pas tetë vitesh pauzë, por lajmi për kancerin i ndryshoi tërësisht drejtimin.

Jessie J

Ajo deklaroi se pas performancës në ‘Capital Summertime Ball’, u detyrua të largohej nga vëmendja publike për të kaluar operacionin dhe për t’u përqendruar në shëndetin e saj.

Megjithatë, ndryshe nga largimi që premtoi, Jessie J ka qenë mjaft aktive në rrjetet sociale gjatë gjithë procesit të rikuperimit, duke ndarë me ndjekësit përditësime të sinqerta dhe emocionale.

Në një prej postimeve të saj në Instagram, ajo shkroi: “Dy javë pas operacionit. Më hoqën drenën para dy netësh. Mjekja më tha ‘merri frymë thellë dhe nxirre me forcë’. Ajo e hoqi aq shpejt saqë ishte ndjesia më e çuditshme... por aq çliruese pas 12 ditësh me të”.

Jessie, e cila njihet për karakterin e saj energjik dhe humorin, nuk e ka fshehur as ironinë që gjen në situatat më të vështira.

Foto: Instagram

Ajo tha me shaka se pas mastektomisë, tani ka "gjinj të pabarabartë", duke e quajtur veten me humor si “të çuditshme”, çka i ka shkaktuar edhe vështirësi të vogla në përzgjedhjen e veshjeve deri sa të "balancohen".

Por përtej ironisë, Jessie J ka ndarë edhe momente më të thella emocionale, duke treguar se nuk pati kohë të përpunonte emocionalisht diagnozën dhe operacionin, pasi gjithçka ndodhi në një periudhë shumë të ngarkuar.

“Ishte një moment i mbushur me takime, kontrolle, mendime. Kisha vetëm sa isha zhvendosur në një vend të ri, isha nënë e një vogëlushi dhe do nisja një fushatë të re pas 8 vitesh. Ishte çmenduri. Nuk kisha kohë të mendoja, të ndaloja. Tani që po kam kohë, po ndjej dhimbje të vonuar dhe frustrim, duke kuptuar çfarë po ndodh realisht”, u shpreh ajo.

Edhe pse duket e fortë dhe pozitive në rrjet, Jessie pranon se kjo betejë ka qenë e thellë, transformuese dhe sfiduese emocionalisht.

Pavarësisht sfidës së madhe që po përjeton, po vazhdon të frymëzojë me sinqeritetin dhe guximin e saj. /Telegrafi/