Muajin e shkuar, autoritetet kontrolluan pronat e banimit dhe zyrat e nëntë të pandehurve në lidhje ne vjedhjen e 1.4 milionë eurove në kuadër të një kontrate për pasaporta biometrike në ministrinë e brendshme. Operacioni u krye nga policia e Kosovës dhe policia e EULEX-it.

Si rezultat i informacionit të ri të mbledhur, të pandehurit po hetohen për pastrim parash e financim të terrorizmit. Rasti po hetohet nga një ekip i EULEX-it dhe prokurorëve të Kosovës, shkruan SETimes.


"Kohët e fundit, shumë e më shumë raste po hetohen e po ndiqen penalisht në ekipe të përbashkëta e kjo do të jetë dhe më tutje”, tha Irina Gudeljeviç, zëdhënëse e EULEX-it.

Një takim midis EULEX-it, Policisë së Kosovës dhe Këshilli të Prokurorisë u mbajt këtë pranverë për të diskutuar mënyrat e ndryshme për të rritur bashkëpunimin e tyre në luftimin e krimit.

Peter Bach, kreu i Divizionit të Përforcuar të EULEX-it tha se duhet një metodë më e bashkërenduar për të trajtuar krimin e korrupsionin, një kërkesë kryesore për liberalizimin e vizave të BE-së.

"EULEX po ndihmon policinë e Kosovës dhe shërbimin e prokurorisë të Kosovës për të ndihmuar bashkëpunimin më të mirë për të arritur rezultate më të mira”, tha ai.

Shefi i EULEX-it Bernd Borchardt tha se misioni e institucionet e Kosovës po punojnë së bashku, gjithnjë e më shumë me ekipe të përbashkëta.

"Kjo është norma tani, që të kemi një ekip të përzierë hetues policor, një ekip të përzierë prokurorësh e një panel të përzierë gjyqtarësh”, tha ai.

Megjithatë, sipas tij, agjencitë e institucionet e Kosovës duhet të vazhdojnë duke ndjekur penalisht e duke dënuar të pandehurit.

"Kjo duhet të përkthehet në përparim jo vetëm në ligje të mira, por gjithashtu në urdhëresa e zbatim të mirë të ligjeve dhe me rezultate”, tha Borchardt.

Më 23 korrik, Policia e Kosovës arrestoi tetë persona me dyshimin e kontrabandës së emigrantëve dhe përgatitjes për ta të dokumenteve të rreme të identifikimit për udhëtim. Operacioni që nisi në gusht të 2012-tës rezultoi në 13 kontrolle në gjashtë qytete të Kosovës.

"Personat e dyshuar veprojnë si grupe të strukturuara të cilat funksionojnë në nivelin e vendit, por edhe në nivelin rajonal”, tha për SETimes Baki Kelani, zëdhënës i policisë të Kosovës.

"Operacionet si ky tregojnë rritjen e profesionalizmit të policisë së Kosovës”, tha Harry Long, kreu i departamentit të EULEX-it për forcimin e policisë.

Mentor Vrajolli, studiues i lartë në Qendrën e Studimeve të Sigurisë të Kosovës, tha se ngaqë Kosova nuk është një anëtare e OKB-së, BE-së apo Këshillit të Evropës, është ende e pamundur të ketë mundësi të drejtpërdrejtë të përdorimit të policisë dhe drejtësisë së këtyre organizmave.

"Për momentin, ky bashkëpunim varet kryesisht nga ndihma e EULEX-it. EULEX-i është ndërmjetësi kryesor i politikës dhe drejtësisë në Kosovë”, tha Vrajolli. "Prandaj, mendoj se është koha që EULEX-i të rishqyrtojë mandatin e tij në këtë sferë e të reflektojë mbi zhvillimet pozitive që kanë ndodhur në Kosovë kohët e fundit”.

Prokurorët e EULEX-it ngritën 33 padi më 2011 dhe 18 gjyqe u përfunduan. Më 2012 u ngritën 45 padi dhe 25 gjyqe u përfunduan. Prokurorët e EULEX-it kanë 39 hetime në vazhdim për raste të korrupsionit dhe 42 hetime në vazhdim për raste të krimit të organizuar. /Telegrafi/