Jennifer Lopez u fotografua me një shprehje serioze në fytyrë të mërkurën, teksa shkonte drejt studios së vallëzimit në Los Angeles, në një ditë kur u shpall vendimi i shumëpritur në gjyqin ndaj ish-partnerit të saj, reperit Sean "Diddy" Combs.

Këngëtarja dhe aktorja 55-vjeçare dukej e përqendruar gjatë mbërritjes në studio, ku po bënte prova për qëndrimin e saj artistik që do të nisë në fund të vitit në The Colosseum at Caesars Palace në Las Vegas – nga 30 dhjetori deri më 3 janar, për të vazhduar sërish nga 6 deri më 28 mars, shkruan DailyMail.


Dalja e saj publike ndodhi në të njëjtën ditë kur juria dha një vendim të ndarë për Diddyn: ai u shpall i pafajshëm për akuzat më të rënda të konspiracionit kriminal dhe trafikimit seksual, por u shpall fajtor për dy akuza më të lehta – transportim me qëllim për përfshirje në prostitucion. Gjykatësi urdhëroi që ai të mbahet në paraburgim deri në seancën e dënimit në tetor.

Jennifer Lopez ka qëndruar e rezervuar dhe nuk ka dhënë asnjë koment publik lidhur me gjyqin apo akuzat e ngritura ndaj Diddyt nga disa gra që e akuzuan për sulm seksual – akuza që ai i ka mohuar vazhdimisht.

Romanca e tyre, që u konsiderua një ndër më të përfolurat në atë kohë, nisi në vitin 1999, kur Jennifer dhe Diddy u njohën në xhirimet e videoklipit të saj “If You Had My Love”. Ai më pas bashkëprodhonte edhe albumin e saj debutues “On The 6”.

Në dhjetor të atij viti, çifti ishte në një klub nate në Manhattan, kur Diddy dhe ekipi i tij u përfshinë në një përleshje që përfundoi me të shtëna armësh, duke lënë të plagosur tre persona.

Jennifer, Diddy dhe truproja e tij u larguan me shpejtësi nga klubi, por u ndaluan nga policia, e cila gjeti një armë të vjedhur në veturën e tyre. Njëra prej viktimave të sulmit deklaroi se ishte vetë Diddy që e kishte qëlluar.

Të dy, Jennifer dhe Diddy, u arrestuan në atë kohë, por këngëtarja u lirua shpejt dhe nuk u akuzua asnjëherë. Diddy, megjithatë, përfundoi në gjyq, por u shpall i pafajshëm për posedim armësh. Një nga reperët që ishte pjesë e shoqërisë së tij atë natë u shpall fajtor për posedim arme dhe sulm.

Askush nuk u akuzua ndonjëherë për të shtënat reale në klub.

Ky gjyq la një njollë të rëndë në marrëdhënien e Jennifer dhe Diddyt, e cila përfundoi në vitin 2001. Megjithatë, më vonë u raportua se të dy kishin ruajtur një marrëdhënie miqësore. Jennifer më vonë e akuzoi Diddyn për tradhti gjatë lidhjes, edhe pse e pranoi se nuk kishte prova të qarta – vetëm dyshime.

Në një intervistë të vitit 2002 me Diane Sawyer për emisionin Primetime: Special Edition, Jennifer u pyet nëse kishte ndjerë ndonjëherë frikë gjatë lidhjes me Diddyn.

“Jo, nuk mendoj se isha e frikësuar,” tha ajo. “Thjesht në atë kohë e doja shumë Seanin, por nuk kishim të njëjtat ide për jetën, për familjen, për gjithçka. Nuk ishte një marrëdhënie e mirë për mua. Kishte më shumë të bënte me mua sesa me të.”

Ajo vazhdoi: “Duhej të mësoja të kujdesesha më shumë për veten dhe të vendosja kufij për atë që pranoja dhe nuk pranoja. Ai thjesht ishte vetvetja. Nuk bënte asgjë të gabuar – ai mendonte se më donte dhe unë e dija që më donte. Edhe unë e doja. Por nëse nuk isha e lumtur, atëherë unë duhej të bëja diçka për këtë. Jo ai”.

Ndërkohë, Jennifer i është përkushtuar provave për projektet e saj të reja, përkundër zhvillimeve që lidhen me jetën e saj private.

Sipas revistës People, ajo dhe ish-bashkëshorti i saj Ben Affleck, 52 vjeç, duket se janë tërhequr përkohësisht nga përpjekjet për të shitur rezidencën e tyre luksoze në Beverly Hills, një vit pasi e nxorën në shitje. /Telegrafi/