Jenna Ortega sjell “Wednesday”-n në tapetin e kuq – mahnit me pamjen gotike në premierën e sezonit të dytë në Paris

Jenna Ortega u shfaq e frymëzuar nga personazhi i saj ikonik, Wednesday Addams, teksa mori pjesë në premierën e sezonit të dytë të serialit hit të Netflix, në Paris.
Aktorja 21-vjeçare zgjodhi një fustan gotik kafe deri në dysheme, me një të çarë të theksuar dhe detaje të rrudhosura rreth dekoltesë, duke reflektuar elegancë dhe një nuancë misterioze që e bën të dallojë.
Jenna kompletoi pamjen me taka të larta kafe me platformë dhe një gjerdan të madh me kryq, duke qëndruar besnike stilit gotik që ka kthyer në trend përmes rolit të saj, shkruan DailyMail.
Premiera shënoi nisjen e sezonit të ri të “Wednesday”, një nga serialet më të ndjekura të Netflix, i cili debutoi në vitin 2022 dhe u shndërrua menjëherë në fenomen global. Sezoni i dytë, që pritet të publikohet më 6 gusht 2025, premton surpriza të reja dhe një kast edhe më të pasur me emra të mëdhenj si Lady Gaga, Joanna Lumley, Steve Buscemi dhe Thandiwe Newton.
Ndërkohë, është konfirmuar edhe sezoni i tretë, si dhe një spin-off i mundshëm, duke sjellë edhe më shumë botën e Addams në ekran.
Jenna, tashmë edhe producente e serialit, shihet si zemra e suksesit të “Wednesday”, duke i dhënë jo vetëm fytyrë por edhe ndikim kreativ historisë që ka magjepsur miliona shikues anembanë botës. /Telegrafi/






























































