Bashkësia Fetare Islame (BFI) e Maqedonisë së Veriut ka reaguar pas shndërrimit të Jeni Xhamisë në Manastir, në muze të trashëgimisë kulturore krishtere-islame.

Nga BFI thonë se është e papranueshme se si për këtë vendim nuk janë konsultuar aspak dhe se as është kërkuar pëlqim për transformimin e xhamisë në muze.


BFI në reagim përmend historinë e xhamisë Jeni duke numëruar edhe përpjekjet e tyre për të rikthyer xhaminë nën menaxhim të BFI-së, por shtojnë se asnjëherë nuk u realizua kjo kërkesë e tyre.

“Ne, si përfaqësues të besimtarëve myslimanë e kundërshtojnë fuqishëm këtë iniciativë për transformimin e Jeni xhamisë në “muze” dhe bëjmë thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të çdo veprimi që dëmton frymën e shenjtë të xhamisë. U bëjmë thirrje organeve kompetente në RMV që të ushtrojnë autoritetin e tyre konform dispozitave ligjore, si dhe përfaqësive diplomatike dhe institucioneve kulturore vendore dhe ndërkombëtare me ndikimin e tyre të mbrojnë Jeni xhaminë në Manastir si objekt fetar islam dhe me vlerë të madhe kulturore”, thonë mes tjerash nga BFI.

467882815 122126457470461209 6919130217786599390 n

"Vetëm përmes dialogut të hapur, bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë të të gjithëve mund të ndërtohet një shoqëri e civilizuar dhe tolerante. Me respekt dhe shpresë për zgjidhjen e çështjeve në mënyrë që të ruhet bashkëjetesa dhe paqja si vlerë e çmuar në shtetin tonë”, përfundojnë nga BFI./Telegrafi/