LAJMI I FUNDIT:

JEMI AKOMA TË PAPJEKUR

JEMI AKOMA TË PAPJEKUR

Nga: Honore de Balzac (pjesë nga Iluzionet e humbura)
Përktheu: Klio Evangjeli

– Po shantazhi është kuletë apo jetë?

– Është një gjë më e tmerrshme, tha Lustoi – Është kuleta ose nderi. Pardje, një gazetë e vogël, pronarit të së cilës s’i kishin dhënë kredi, shkruante se një sahat me zile, i stolisur me diamante, që ishte pronë e një fisniku, u gjend për çudi në duart e një ushtari të gardës mbretërore; gazeta premtonte se do të botohej një tregim për këtë ngjarje, që u ka hije “Një mijë e një netëve”. Fisniku ftoi menjëherë për drekë kryeredaktorin. Merret vesh, kryeredaktori diçka fitoi në këtë mes, po historia bashkëkohëse e humbi anekdotën e sahatit. Sa herë që do të shikosh se gazeta sulmon ashpër ndonjë nga njerëzit e pushtetshëm, ta dish se ata ose kanë a s’kanë pranuar të paguajnë kambiale, ose s’kanë dashur të bëjnë shërbime. Anglezët e pasur, më shumë se çdo gjëje tjetër i tremben shantazhit, që prek jetën private. Shantazhi ka lidhje me të ardhurat e fshehta të shtypit britanik, shumë më i çoroditur se shtypi francez. Ne jemi akoma të papjekur. Në Angli për një letër që të poshtëron, paguajnë pesë a gjashtë mijë franga, për ta shitur përsëri me qar.


Si do ta sulmosh Matifanë? Mik i dashur, vazhdoi Lustoi, ky dyqanxhi i poshtër i ka shkruar Florinës letra nga më të çuditshmet: ortografia, stili, mendimet të shkulin gazit. Matifai ia ka shumë frikën së shoqes; ne kemi mundësi, pa përmendur emrin e tij e pa i lënë shteg për t’u ankuar në gjyq, ta godasim mu në shtëpinë e tij, ku e ndien veten në vend të sigurt.