Presidenti i La Ligas, Javier Tebas, ka dhënë një deklaratë që vë në pikëpyetje transferimin e mundshëm të Nico Williams te Barcelona.

“Nëse Barcelona nënshkruan sot me Nico Williams, ata nuk do të jenë në gjendje ta regjistrojnë atë”, deklaroi Tebas, duke nënvizuar problemet që lidhen me kufizimet financiare të klubit katalanas.


Sipas tij, edhe nëse Barça vendos të paguajë klauzolën e lirimit të lojtarit të Athletic Bilbaos, marrëveshja do të pengohet nga rregullat e kontrollit financiar, për shkak të faturës së lartë të pagave që ka aktualisht klubi.

Ndërkohë, Williams dhe përfaqësuesit e tij kanë kërkuar sqarime rreth situatës, dhe raportimet nga Spanja thonë se ekziston mirëkuptim mes palëve, megjithatë deklarata e fundit e Tebas mund të komplikojë më tej planet e Barcelonës për të afruar yllin e ri të Spanjës.

Ky zhvillim vjen në një moment kur Barcelona është në përpjekje për të forcuar skuadrën për sezonin e ardhshëm, por kufizimet e Fair Play Financiar vazhdojnë të jenë një pengesë serioze.

Lojtari i ka bërë me dije klubit katalunas se nëse nuk arrijnë ta regjistrojnë, atëherë nuk do të ketë as marrëveshje. /Telegrafi/

telegrafi sport app