Java e tetë nis nesër, derbi në Shkup mes Vardarit dhe Strugës

Fillimi i tetorit sjell javën e tetë të kampionatit në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut, e cila më pas do të ketë një pauzë për shkak të angazhimeve të përfaqësueses në kualifikimet për Botërorin 2026. Kjo xhiro premton duele të nxehta, me disa ndeshje që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në renditjen e tabelës, njofton Telegrafi.
Xhiron e hap të premten përballja mes Makedonija Gj.P dhe Arsimit (15:00). Të dy skuadrat ndahen vetëm nga një pikë në renditje, ndërsa Arsimi vjen i motivuar pas fitores ndaj Shkupit, kurse Makedonija e Gj.P. do të kërkojë të kthehet te rezultatet pozitive pas humbjes nga Tikveshi.
Të shtunën zhvillohen dy ndeshje të tjera. Bashkimi, që ndodhet në formë shumë të mirë dhe është afër kreut të tabelës, udhëton në Strumicë për t’u përballur me AP Brerën. Në të njëjtën kohë, Shkupi do të masë forcat me Rabotniçkin, ndeshje që do të luhet në Strugë për shkak të pezullimit të stadiumit të Çairit. Bëhet fjalë për dy skuadrat që ndodhen në fund të tabelës, por kjo mund të jetë mundësia e artë për Shkupin që ende nuk ka fituar asnjë pikë këtë sezon.
Të dielën spikat derbi i madh në Shkup mes Vardarit dhe Strugës (15:00). Struga Trimi Lum, që po dominon kampionatin, do të kërkojë të vazhdojë ecurinë perfekte përballë ndjekësit të parë, Vardarit, në një duel që pritet të tërheqë vëmendjen e madhe të opinionit sportiv. Në të njëjtën ditë, Sileksi pret Tikveshin në Kratovë.
Java e tetë do të mbyllet të hënën me përballjen në Manastir mes Pelisterit dhe Shkëndijës. Për kuqezinjtë e Tetovës kjo do të jetë një ndeshje e vështirë, pasi sot ata përballen me Rayo Vallecanon në Ligën e Konferencës. /Telegrafi/
Orari i plotë i ndeshjeve të javës së 8-të:
03.10, 15:00 | Makedonija Gj.P - Arsimi
04.10, 15:00 | AP Brera - Bashkimi
04.10, 15:00 | Shkupi - Rabotniçki
05.10, 15:00 | Sileksi - Tikveshi
05.10, 15:00 | Vardari - Struga
06.10, 18:00 | Pelisteri - Shkëndija


















































