LAJMI I FUNDIT:

Java më e keqe për stoqet amerikane që nga COVID-19

Java më e keqe për stoqet amerikane që nga COVID-19

Tregjet globale goditen sërish pas përshkallëzimit të luftës tregtare.

Për të dytën ditë radhazi, aksionet globale pësuan tronditje, teksa bota vazhdon të reagojë ndaj vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump për vendosjen e tarifave.

Kina u bë vendi i parë që kundërpërgjigjet me tarifa hakmarrëse për të gjitha importet nga Shtetet e Bashkuara, duke e çuar në një tjetër nivel përshkallëzimin e një lufte tregtare tashmë të tensionuar.


Duke nisur nga e enjtja e ardhshme, mallrat amerikane që hyjnë në Kinë do të përballen me një taksë prej 34 për qind, shkruan bbc.

Kompania që furnizon Boeing dhe Airbus: Mund të ndalojmë dërgesat për shkak të tarifave
Lexo po ashtu Kompania që furnizon Boeing dhe Airbus: Mund të ndalojmë dërgesat për shkak të tarifave

Ministria kineze e Tregtisë njoftoi gjithashtu se do të forcojë kontrollin mbi eksportet e mineraleve të rralla – materiale të domosdoshme për prodhimin e teknologjisë së lartë, përfshirë çipat kompjuterikë dhe bateritë për automjetet elektrike.

Ndër mineralet që do t’i nënshtrohen këtyre kontrolleve janë edhe përbërjet e samarimit, të cilat janë thelbësore për industrinë ajrore dhe atë të mbrojtjes.

Pekini gjithashtu ka depozituar një ankesë zyrtare pranë Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) lidhur me këto tarifa.

Ende mbetet e paqartë nëse vendet e tjera do të ndërmarrin masa të ngjashme, por kryeministri britanik Keir Starmer paralajmëroi se një “luftë tregtare në shkallë të gjerë do të ishte jashtëzakonisht e dëmshme”.

Në SHBA, tregjet financiare u përballën me luhatje të ndjeshme. Edhe pse një raport i ri mbi punësimin doli më i fortë se pritshmëritë, stoqet në Wall Street ranë që në hapjen e së premtes në mëngjes, duke shënuar ditën e dytë radhazi me humbje në bursën e New Yorkut. /Telegrafi/