LAJMI I FUNDIT:

Janjiq tregon pse Vuçiq tani është i gatshëm të bëjë çdo lëshim ndaj Kurtit

Janjiq tregon pse Vuçiq tani është i gatshëm të bëjë çdo lëshim ndaj Kurtit

Analisti politik serb Dushan Janjiq mendon se presidenti serb Aleksandar Vuçiq e ftoi Listën Serbe që të marrë pjesë pa kushte në zgjedhje vetëm për të shmangur përgjegjësinë për një numër të madh vendimesh të gabuara vitin e kaluar.

Janjiq ka thënë për mediat serbe se thirrja e Vuçiqit për të shkuar në zgjedhje është një tjetër në vargun e lëvizjeve të gabuara sepse, siç tha ai, presidenti serb nuk do të përballet me gabimin dhe pasojat kur tërhoqi serbët nga institucionet e Kosovës.


“… Qëllimi i Vuçiqit është të largojë vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare nga procesi kundër Milan Radoiçiqit, e gjithë kjo në dëm të popullit serb në veri të Kosovës”, ka vlerësuar Janjiq, përcjell Telegrafi.

Ai ka theksuar se zgjedhjet në veri të Kosovës nuk do të mbahen para pranverës së vitit të ardhshëm, sepse Kurti pas pranimit të Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhje, tha se zgjedhjet mund të thirren dhe mbahen vetëm sipas udhëzimeve administrative të Prishtinës.

Por Janjiq nuk është ndalur me kaq duke theksuar se Vuçiq tani është i gatshëm të bëjë çdo lëshim ndaj Kurtit – përderisa nuk diskutohet për fajin e tij për ngjarjet tragjike në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator.

“Serbët në Kosovë janë shumë të shqetësuar dhe të zhgënjyer sepse e kuptuan se Beogradi nuk ka më asnjë përgjigje dhe fuqi për t’u ofruar atyre ndonjë ndihmë. Lista Serbe nuk është më një lojtar politik. Tani do të ishte mirë që serbët në Kosovë të zgjidhnin përfaqësues të rinj politikë, të cilët nuk janë të përfshirë në krim dhe në Beograd”, ka thënë ndër tjerash Janjiq. /Telegrafi/