LAJMI I FUNDIT:

JANË CA NJERËZ

JANË CA NJERËZ
Xhevdet Bajraj (foto: A. Sh, 2021)

Poezi nga: Xhevdet Bajraj

Nëpër debatet në TV
zien urrejtja përditë
(kjo mund të shihet qartazi
edhe kur televizorët janë të fikur)
Këta që hanë fasule
pinë ujë
dhe bëjnë seks
natën flenë rehat si qengja të therur
e ditën me xhepa të zbrazur
ngjitur për muri si hardhuca
presin t’i shohin liderët e partive
brenda makinave me xhama të nxirë


Janë ca njerëz
që të shkaktojnë dhimbje
kur i sheh
duke i marrë erë një luleje

Lum ai që uji i shkakton alergji
dhe në vend të tij
pinë birra verë e raki

(𝐁𝐚𝐣𝐫𝐚𝐣, 𝐗𝐡𝐞𝐯𝐝𝐞𝐭. 𝐴𝑛𝑔𝑒𝑙𝑢𝑠 𝑁𝑜𝑣𝑢𝑠. Ferizaj : Klubi Letrar “De Rada”, 2023. f. 24.)