Jamie Foxx xhirohet në publik për herë të parë pas daljes nga spitali

Aktori amerikan, Jamie Foxx, edhe pse ka një muaj që është liruar nga spitali, vetëm së fundmi është shfaqur në publik.
Pasi ishte sëmurë në xhirimet e filmit “Back In Action” në prill të këtij viti, mediat kishin raportuar se shëndeti i tij po përkeqësohej.
Megjithatë, Foxx doli nga spitali në muajin maj duke thënë se gjendja e tij shëndetësore kishte qenë vërtet kritike, porse ishte rikuperuar me sukses. Ende nuk dihet se për çfarë sëmundje dhe gjendje shëndetësore bëhet fjalë, gjë që e ka shqetësuar edhe më shumë opinionin.
Sidoqoftë, 55-vjeçari është parë ditët e fundit teksa po lundronte në lumin Chicago, ndërsa në varkë ishin të pranishëm edhe miqtë dhe familjarët e tij.
Foxx shpejt i vuri re fansat dhe fotoreporterët në anën tjetër dhe vendosi t’i përshëndesë ngrohtësisht. /Telegrafi/




























































