James Milner në histori të Ligës Premier, thyen rekordin për më së shumti paraqitje

Mesfushori James Milner ka hyrë në histori duke vendosur një rekord të ri në Ligën Premier, pasi arriti në 654 paraqitje në elitën e futbollit anglez.
Mesfushori 40-vjeçar e arriti shifrën historike kur startoi për Brighton në udhëtim ndaj Brentford të shtunën, duke kaluar ish-mesfushorin e Aston Villa dhe Manchester City, Gareth Barry.
Milner e nisi karrierën te Leeds United, ku u bë golashënuesi më i ri në historinë e Liga Premier në atë kohë, vetëm 16 vjeç. Gjatë karrierës së tij ai ka luajtur edhe për Newcastle United, Aston Villa, Manchester City dhe Liverpool.
Gjatë periudhës së tij te City dhe Liverpool, anglezi fitoi tre tituj të Ligës Premier, dy FA Cup dhe Ligën e Kampionëve.
Congratulations James Milner, who makes an all-time record 654th Premier League appearance! 👏 pic.twitter.com/u7Wk1sf6Zj
— Premier League (@premierleague) February 21, 2026
Trajneri i Brighton, Fabian Hurzeler, i cili është tetë vjet më i ri se Milner, pati vetëm fjalë lavdëruese për veteranin.
“Ai është një model si në fushë ashtu edhe jashtë saj”.
“Nuk është surprizë pse ai është aty ku është në këtë moment, sepse ka një disiplinë të jashtëzakonshme”.
“Ai jep maksimumin çdo ditë dhe nuk është kurrë i kënaqur. Vazhdon gjithmonë përpara dhe është një mundësi e shkëlqyer për të”.
“Është një ditë e madhe për të që të na tregojë sërish pse është rekordmen sa i përket ndeshjeve në Ligën Premier”./Telegrafi/




















































