Mbrëmë, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka mbajtur një tubim në Zvicër, ku kandidatja për deputete, Edona Llaloshi, e ka nisur aktivitetin me një këngë kushtuar kryetarit të LVV-së, Albin Kurti.

Kjo paraqitje ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik dhe nga përfaqësues të subjekteve tjera politike.


Një nga reagimet ka ardhur nga kandidatja për deputete e LDK-së, Sibel Halimi e cila ka kritikuar ashpër mesazhin e këngës dhe simbolikën e përdorur, duke theksuar se romantizimi i dhunës nuk mund të konsiderohet art.

“Romantizimi i dhunës nuk është art. Arti nuk është pushkë, as thirrje për të qëlluar. Arti është ndërgjegje, është pyetje, është dritë që e ndal dorën para dhunës,” ka shkruar Halimi. Ajo ka vënë në pikëpyetje vargun e këngës “Jam Albini, pushkë me qitë”, duke pyetur se “kujt do t’i drejtohen plumbat”.


Sipas saj, “pushka e artistit nuk duhet t’i drejtohet askujt si armë, por padrejtësisë si ide, frikës si sistem dhe heshtjes si bashkëfajësi”, duke shtuar se vendit i duhet “paqja dhe mirëqenia, jo romantizimi i dhunës”.

Halimi ka përfunduar se artistët kanë përgjegjësi të jenë “zë i arsyes, i humanizmit dhe i shpresës”, e jo “jehonë e instinkteve të errëta”.

Reagim ka pasur edhe nga sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila ka vlerësuar se ajo që u pa në tubimin e LVV-së në Zvicër përbën “një nivel tjetër të marrëzisë”.

“Kur një deputete i kushton këngë liderit në një ngjarje të organizuar nga vet partia, dhe lideri rri aty duke rrahur shuplakë, kjo nuk është më thjesht shije e keqe apo folklor politik. Kjo është përtej marrëzisë. Kjo është e rrezikshme,” ka shkruar Çitaku.

Ajo ka theksuar se problemi nuk lidhet me kualitetin artistik të këngës, por me “mentalitetin që promovon”, duke e cilësuar këtë si të dëmshëm për shëndetin demokratik.

Deri më tani, nga Lëvizja Vetëvendosje nuk ka pasur një reagim zyrtar lidhur me kritikat e ngritura pas këtij tubimi. /Telegrafi/