0Shares

Sivjet, në të gjitha trevat shqiptare dhe në diasporë me pietet po përkujtohet Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, në 55o vjetorin e vdekjes së tij.

Skënderbeu është figura më e nderuar dhe më e madhe e shqiptarëve që nga Mesjeta. I njohur si princi i arbërve, apo princi i epirotëve, luftoi për lirinë e shqiptarëve, por edhe për civilizimin botëror.

Bisedoi: Shaqir Foniqi

Figura e Skënderbeut, nga koha e Barletit, ka tërhequr vëmendjen e penave të ndryshme, për të ndriçuar luftën e tij mëse 25 vjeçare për krijimin e shtetit të Arbërit.

Po, kush ishte Skënderbeu dhe cili është roli i tij në histori, mësoni nga Prof.Dr. Jahja Drançolli, historian dhe njohësi më i mirë i periudhës mesjetare!

Profesor Drançolli, sikurse e dini sivjet në të gjitha trojet shqiptare është shënuar 550 vjetorit i vdekjes se Gjergj Kastrioti – Skënderbeut? Si e vlerësoni këtë akt dhe sa ishin dinjitoze manifestimet, kushtuar këtij përvjetori?

Është vendim i qëlluar i dy qeverive tona, meqë është mbështetur në përvoja pozitive nga e kaluara historike evropiane dhe më gjerë. Aq më shumë kur i kemi parasysh burimet e ruajtura në më se 20 gjuhë, sipas të cilave provohet se, janë të paktë ata personalitete historike, që kanë gjetur një pasqyrim kaq të gjerë e jetëgjatë në shkencën dhe kulturën botërore, siç ka gjetur Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

Në anë tjetër, lidhur me manifestimin që pyesni, nga distanca e sotme, mund të thuhet me plotë gojën se, pritjet e parapara për këtë vit pothuajse janë të nivelit zhgënjyes. Shkenca dhe kultura jonë nuk solli asgjë të re. Vetëm, është bërë një janë déjà vu e rezultateve të arritura përgjatë shënimeve jubilare kushtuar Gjergj Kastrioti-Skënderbeut, si, nga ato të vitit 1968: 500-vjetori i Vdekjes së Heroit, si dhe të vitit 2005: 600- vjetori i Lindjes së Heroit. Në këtë kontekst, mund të konstatohet se shkenca dhe kultura jonë e sotme me potencialin që zotëron nga lëmi i medievalistikës, është shumë nën nivelin e viteve 1968, 2005.

Skënderbeu, ishte themelues i shtetit shqiptar. Ai, për 25 vjet arriti t’i vëjë bazat e një shteti. Si e arriti këtë dhe ku konsiston magjia e tij?

Skënderbeun unë e konsideroj për kryendërtues të shtetit tonë, shtet ky që themelet duhet kërkuar në Lidhjen e princave arbërorë në Lezhë (1444). Nga këndvështrimi historik, këtu rifilluan rrugën proceset politike, ushtarake dhe fetare drejt formimit të një shteti të njësuar arbëror, të cilin, pushtimi osman dhe venedikas e kishte ndërprerë në kapërcyellin e shek. XIV. Pikënisja e rifillimit të këtij procesi ishin ngjarjet e vitit 1443, të cilat kulmuan më 28 Nëntor 1443 (“Lirinë nuk jua solla unë, por e gjeta këtu në mes tuaj, armët nuk jua ngjesha unë, por ju gjeta të armatosur, lirinë e kishit kudo, në krahnor, në ballë, në shpatë, në ushtat!”).

Kuvendi i Lezhës u mbajt mbi bazën e traditave më të hershme arbërore. Aty, morën pjesë shumë princër nga pjesë të ndryshme të Arbërisë. Kuvendi i Lezhës mori një sërë vendimesh të rëndësishme, duke krijuar një lidhje midis sundimtarëve arbër, të cilët pranuan të heqin dorë nga partikularizmi i mbjellë me kohë dhe të formonin, sipas traditave të lashta arbërore, një lloj federate për të luftuar së bashku kundër sunduesit të huaj deri në çlirimin e plotë të vendit, me një kryetar të vetëm, Gjergj Kastriotin-Skënderbeun. Në të vërtetë, ky ishte vetëm “Primus inter pares” (I parë ndërmjet të barabartëve).

Vendimet e Kuvendit i dhanë një mbështetje të fortë juridike e morale pozitës së Skënderbeut në marrëdhëniet e tij me sundimtarët e tjerë arbërorë. Me krijimin e Lidhjes së Lezhës ishte bërë hapi i parë dhe shumë i rëndësishëm në rrugën e bashkimit kundër pushtuesve të huaj. Kështu, Lidhja e Lezhës do të mbetet gjithnjë një model i fuqishëm edhe për kuvende të tjera gjatë shekujve vijues (Kuvendi i Dukagjinit, Kuvendi i Kuçit, Kuvendi i Arbënit, Kuvendi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Kuvendi i Lidhjes së Pejës, Kuvendi te Verrat e Llukës, Kuvendi i Drenicës, etj), të cilat ruajtën motivin themelor të Kuvendit të Lezhës, unitetin kombëtar, luftën çlirimtare dhe ndërtimin e shtetit të përbashkët. Rilindja Kombëtare Shqiptare, si artikuluese e nacionalizmit të konsoliduar shqiptar të gjysmës së dytë të shekullit XIX dhe ideja e krijimit të shtetit-komb, nuk mund të konceptohet pa frymëzimin kryesor që buronte nga Kuvendi i Lezhës, dhe lufta e Skënderbeut për unitet, liri dhe mëvetësi të Arbërisë – Shqipërisë etnike.

Cilat ishin raportet e tij me Huniadin?

Hunyadi János (c.1407-1456), një guvernator hungarez dhe udhëheqës ushtarak është bërë i njohur në luftëra kundërosmane, që nga viti 1441 deri në vdekjen e tij në vitin 1456. Marrëdhëniet e tij më Skënderbeut janë të njohura sidomos në Betejën e Kunevicës afër Nishit në vitin 1443. Kjo betejë kishte mundësuar tërheqjen e Skënderbeut që ishte pjesë e ushtrive osmane për t’u kthyer në Krujë më 28 nëntor 1443. Pas këtij viti, do ti ndeshim gjithnjë si për aleat më luftëra kundër osmane. Në këtë kontekst duhet përmendur bashkërendimet e tyre ushtarake në Betejën e Kosovës më 17-20 tetor të vitit 1448. Është e njohur se, në verë të vitit 1448, pasi që kishte tubuar reparte hungareze, polake, rumune, çeke, etj., Huniadi kishte kaluar Danubin për të arritur në Kosovë, ku e priste sulltan Muratin II, i cili kishte ndërprerë ekspeditën e përgatitur kundër Arbërisë dhe, në Sofje kishte tubuar rreth vetës të gjitha repartet, të cilat numëronin 50.000-60.000 ushtarë; nga kronikat perëndimore numri tyre del i trefishuar. Repartet e aleancës së krishterë, sipas burimeve perëndimore arrinte 22-72.000 ushtarë, ndërsa sipas burimeve osmane 24.000. Lufta triditëshe mbaroi me disfatën e ushtrisë së krishterë.

Premtimet që i kishte dhënë Skënderbeu për tu angazhuar në anën e aleancës së krishterë, e kishin trimëruar Huniadin, që të nxitonte për tu ndeshur me osmanët. Përgatitja e Skënderbeut për këtë përplasje provohet sipas burimeve zyrtare dhe tregimtare. Përveç përgatitjeve të Skënderbeut, si dhe rrjedhave e pasojave të betejës, burimet e kohës, ofrojnë hollësi për vonimin e arbërve për tu bashkuar me trupat hungareze. Shkak kryesor i vonimit të Skënderbeut ishin pengesat e despotit Brankoviq, aleat i dhëndrit Muratit II, që ia mbylli këtij të gjitha rrugët e shtigjet, nga mund të kalonte. Pjesa e madhe e burimeve, duke arsyetuar vonesën e Skënderbeut, nxorën në shesh dhe pashkathtësinë e Huniadit, i cili nuk është dashur të pranonte betejën para ardhjes së Skënderbeut në Kosovë.

Përveç të dhënave për epilogun, janë ruajtur hollësi dhe për fatin e ushtrisë së mbetur pas luftës; një pjesë e trupave, pasi që kishte marrë rrugë për në jug jo larg Fushë-Kosovës, u ndesh më Skënderbeun, që ishte nisur ti bëhej shok lufte Huniadit; pjesa tjetër në malet e Çiçavicës, në afërsi të Vuçitërnës, u përpoq me duk Bogdanin, një stërgjysh i Pjetër Bogdanit. Tërheqin vëmendjen sidomos burimet, që dolën pas betejës, të cilat së bashku me epikën popullore kanë ngatërruar personazhet e Betejë së Parë me ato të Betejës së Dytë të Kosovës.

Ju mbroni tezën se Skënderbeu ka lindur në Has/As/Azdhe kjo teori juaja ka zgjuar kureshtje?

Është për të vënë re se, që në fillimet e veta, familja e kryezotërinjve Kastrioti, doli nga një trevë që sot gjendet këndej e andej kufirit të Shqipërisë. Është fjala për trevën e Hasit. Kjo dëshmi provohet nga një e dhënë, të cilën e ofron historiani i moçëm raguzan me origjinë arbërore Pjetër Lukari (1551-1615). Në veprën e tij me titull, “Copioso Ristretto degli annali di Ragusa” (“Pasqyrë e gjerë e analeve të Raguzës”, Venetia 1605), shkruante: “Castrati villa nella giurisdizione in As in Albania, poco discosto dal fiume Drilon”(familja e Gjon Kastrirotit ka dalë nga “Kastrati, fshat në juridiksionin e Has-it në Arbëri, pak larg nga lumi Drin”); ndërsa në një akt kishtarë i shek. XVI, i cili doli nga provenienca e Bosnjës e Hercegovinës, i botuar në një përmbledhje të akteve eklesiastike, e të publikuar nga studiuesi E. Fermenxhin në vitin 1892, shkruante: “Castrioich de Castrioti in provincia Az in Epiro” (“Kastriotët e Kastratit nga provinca Has i Epirit”).

Dëshmia për origjinën hasiane të familjes Kastrioti provohet tërësisht dhe nga Frang Bardhi në veprën e tij kushtuar Skënderbeut (1636). Në favor të kësaj shkon edhe njoftimi se emri i tyre vjetër ka dalë nga fshati Mazrek i Hasit. Janë ruajtur edhe burime të tjera që e kundërshtojnë tezën e prejardhjes hasianë të Kastriotëve. Duke u nisur nga burime të proveniencave të ndryshme, rreth çështjes në fjalë, në historiografinë tonë është zhvilluar polemikë, ku përkrahësit e tezës së prejardhjes hasiane kanë ofruar prova më të argumentuara.

Jeni njohësi më i mirë i periudhës mesjetare, në këtë kontekst edhe të periudhës së Skënderbeut? Cila ishte lufta tij kombëtare, gjithsesi, por ka edhe historianë të tillë, të cilët thonë se Skënderbeu ka bërë luftë fetare?

Skënderbeu në historiografinë tonë, si dhe në atë botërore njihet për burrështeti, strateg ushtarak, hero kombëtar e ndërkombëtar. Pra, u bë i njohur nga historianët e luftës, si njëri prej gjenive më të mëdhenj të artit të luftës, pati sukses t’u vinte përballë fuqive kolosale të sulltanit me një ushtri arbërore prej 15 000 deri 20 000 vetash. Me këtë ushtri, përgjatë 25 vjetëve, kishte përmbysur dhjetëra sulme osmane gjatë viteve 1444-1446, 1446-1448, 1450-1457, 1462-1465 (Krujë, Sfetigrad, Dibër, Pollog, Fushë të Domosdove, Fushë të Kosovës, Livadh të Ohrit, Fushë të Vajkalit, etj.). Nga vargu i gjatë i fitoreve duhet veçuar, sidomos atë në Ujëbardhë (1457), të cilën e kishte vlerësuar lartë John Newport, kalorës anglez, pjesëmarrës vullnetar i betejës.

Gjatë qëndrimit të tij në Romë (1458), ai kishte deklaruar: “Po të bjerë kështjella arbërore, pushtimi i Europës nga osmanët është i sigurt, pasi nuk ka fuqi tjetër që ta bëjë këtë rezistencë”. Ndërsa, sipas një akti të Senatit të Republikës së Venedikut (1467), bëhet e njohur: “Nëse pushtohet bregdeti i Arbërisë, Ruajna o Zot!, armikut nuk i mbetet gjë tjetër veçse të hidhet kur të dojë në Itali”.

Duke marrë parasysh madhështinë e fitoreve të tij, Skënderbeu shfaqet qartazi si një “Ledh i Europës”, dhe në këtë kontekst, Papa Klisti III shkruante: “Ne po shohim se si ai (Skënderbeu), pothuajse i vetëm, po i reziston furisë osmane, si të ishte një mur i patundur, që u ka zënë atyre rrugën dhe nuk i lejon te vërshojnë në botën e krishterë (Europë)”. Çdo koment tjetër që shpie në gjykime se, Skënderbeu ka bërë luftë fetare, është spekulim me burime të kohës dhe instrumentalizim me argumente historike.

Pse nuk u shpall mbret Skënderbeu?

Më 14 gusht të vitit 1464, vetëm disa javë para se ta kurorëzonte Gjergj Kastrioti-Skënderbeun për mbret, në Ancona të Italisë do të vdes papa Pio II (1458-1464). Në qytetin Ancona, ku vepronte atëbotë kolonia e qëndrueshme arbërore, papa Pio II (emri mirëfilltë i tij, Enea Silvio Piccolomini), pas aktiviteteve të rëndësishme ndërkombëtare, priste për të kaluar në Republikën e Raguzës (gusht-tetor 1464). Dihet se, papa Pio II është shquar për njërin ndër humanistet e historianet më të mirënjohur të periudhës së Humanizmit dhe Rilindjes evropiane.

Njoftime të rëndësishme për Arbërinë në periudhën e Gjergj Kastrioti-Skënderbeut mund të ndeshim në veprat monumentale të tija: “I Commentarii rerum memorabilium, quae temporibus suis contigerunt”, “De gestis Concili Basiliensis commentariorum, libri II”, “Opera omnia” e ndonjë tjetër. Objektivi kryesor i Piccolomini-t në Republikën e Raguzës ishte takimi me burrat më të shquar të kohës në mbrojtjen e vlerave evropiane. Pra, Dukën e Republikës së Venedikut Cristoforo Moro, mbretin e Hungarisë, Matthias Corvinus (1443-1490), si dhe me Gjergj Kastrioti-Skënderbeun, i cili nga papa Pio II priste të kurorëzohet për mbret të Arbërisë. Gjithë kjo histori interesante fshihet në arkiva në Raguze, Ancona, Venezia, Roma, e ndonjë tjetër.

A është Marin Barleti/ci biografi më i mirë i tij?

Marin Barleci (lat. Marinus Barletius, ital. Marino Barlezio, rreth 1450/1460-1512/1513) është bërë i njohur më biografinë kushtuar Heroit, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu e të botuar në fillimët e shek. XVI. (“Historia de vita et rebus gestis Scanderbegi Epirotarum pricipis”). Kjo vepër, megjithë lëshimet tipike për historiografinë humaniste, siç janë, imitimi i historianëve të antikitetit, pasaktësitë kronologjike, retorika e tepruar, ajo mund të konsiderohen për vepër monumente jo vetëm të Rilindjes arbërore, por edhe evropiane. Në këtë kontekst, historia në
fjalë e Barlecit më plotë të drejtë mund të konsiderohet për biografinë më kredibile dhe më të mire kushtuar Heroit, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

A është trajtuar sa duhet figura e Skënderbeut nga historian botëror dhe sa kanë qenë korrekt në studimet e tyre?

Për veprën dhe jetën e Gjergj Kastrioti-Skënderbeut edhe sot ruhen mijëra dokument zyrtare, vëllime historike, zëra enciklopedike, leksikografike e letrare-artistike të shkruara pothuajse në çdo gjuhë botërore; u realizuan gjithashtu edhe vepra nga artet figurative, muzika, teatri, filmi, etj. Të pakta janë figurat mesjetare që kanë gjetur një pasqyrim kaq të gjerë e jetëgjërë në historiografinë dhe letërsinë botërore, siç ka gjetur Skënderbeu.

Pothuaj i tërë opusi historik, letrar dhe artistik kushtuar Heroit, ushqehet para se gjithash nga veprat e humanistëve arbërorë: Marin Barleci, Marin Beçikemi, Martin Segoni Novobërdasi, Dhimitër Frëngu, Frang Bardhi, etj. Në këtë frymë, që nga fillimet e shek. XVI e deri në ditët e sotme kanë shkruar shumë historianë, italianë, turqë, austriakë, gjermanë, anglezë, frëngë, hungarezë, sllavë, rumunë, etj. Ndërsa, iluministi madh frëng, Voltaire (1694-1778), në veprën e tij filozofike-historiko, “Sprovë për doket dhe shpirtin e kombeve”(“Essai sur les mœurs et l’esprit des nations”, 1756), shkruante: “Sikur perandorët bizantinë të ishin si Skënderbeu, perandoria e Lindjes [Bizantit], do të kishte qëndruar në këmb”. Po ashtu, janë realizuar qindra vepra nga artet, si, portreti i Heroit nga Gentile Bellini (1466); nga muzika, libreta e operës me titull, “Scanderbeg” të kompozitorit, Antonio Vivaldi (1718); nga poezia, poeti Henry Longfellow (SHBA, 1807-1882), ia kushton 173 vargje në, “Përrallat e bujtinës anës rrugës” (“Tales of an Innside Inn”, 1863), etj.

Kohëve të fundit është botuar një libër për Skënderbeun, ka ngritur edhe disa tema e dilema, madje edhe për prejardhjen e tij?

Libri në fjalë zotëron burime historike origjinale të shumta, dhe si të tillë unë librin në fjalë me autorin Shmit e konsideroj për një ndër veprat më origjinale deri më sot, kushtuar Gjergj Kastrioti-Skënderbeut. Njëkohësisht, studiuesin Shmit e konsideroj për autorin më pikëpamje më të skajshme, i cili duke përpjekur për të shembur mitin dhe legjendën, që është ngritur ndër shekuj nëpër zhanre të ndryshme të krijimtarisë jo vetëm shqiptare, ka plasuar teza të paqëndrueshme shkencore sidomos lidhur me origjinën e Vojsavës, nënës së Heroit. Si të tilla, tezat në fjalë nuk mund të gjejnë mbështetje në burime historike të kohës. Janë mbështetur në referenca të literaturës jokredibile.

Thuhet se nëna e tij Vojsava ka qenë sllave?

Konfuzionet të quajmë kushtimisht shkencore lidhur më përkatësinë etnike të Vojsavës, nënës së Skënderbeut, ndërlidhën thjeshtë më çështje politike, si dhe më problematikën e përvetësimit të Heroit tonë kombëtar. Si të tilla, i ndeshim te johistorianët dhe historianët e rangut të dytë të shteteve fqinjë, të cilët nuk zotërojnë njohuri të duhura nga historia mesjetare. Në këtë kontekst, janë të prirur për t’i ngatërruar konceptet dhe etnonimet, Ilir, Arbër, Epirot, Tribal, Rasian, Serb, Maqedon, e ndonjë tjetër, të cilat gjatë gjithë mesjetës kanë kuptime të nduarnduarshme.

Figura e Skënderbeut i ka qëndruar kohës tash e gjashtë shekuj. Në të vërtet, si duhet ta trajtojnë shqiptarët Skënderbeun?

Gjergj Kastrioti-Skënderbeun, duhet trajtuar për figurën më madhore dhe më unifikuese të kombit; duhet ta mbajmë në piedestalin e kolosëve më të merituar; duhet të trajtohet për strategun suprem ushtarak e burrështetas, që ka motivuar dhe frymëzuar vepra madhore në përmasën e njerëzimit si dhe idealin liridashës. Së këtejmi, kombi ynë duhet të institucionalizojë në përjetësi memorien dhe respektin ndaj Gjergj Kastrioti-Skënderbeut duke e shpallur me procedurat ligjore për, “At të Kombit Shqiptar”. /Telegrafi/

Të Ngjajshme
Shfaq Komentet (0)