Sipas autoriteteve holandeze, vrasja ka qenë e mirëmenduar dhe e studiuar në detaje. Autorët e kanë ndjekur për disa ditë Sulkun, derisa mbrëmjen e 6 prillit, në orën 23.40 e vranë përpara shtëpisë së tij, ku e priste mikja me të cilën bashkëjetonte prej disa muajsh.

Një person del nga një makinë BMW dhe e qëllon katër herë pas koke kur 33-vjeçari Sulku po zbriste. 10 minuta më parë ai e kishte njoftuar shoqen e tij se po vinte, me anë të një mesazhi në Wattsapp.


Pas ekzekutimit, personi që e qëllon dhe shoferi që e shoqëronte largohen me shpejtësi. Ata tentojnë ta hedhin makinën në det, por dështojnë.

Një dëshmitare i thotë Policisë se makinën që përdorën vrasësit e kishte parë edhe më parë në parkingun përpara shtëpisë së Sulkut. Makina ishte vjedhur dy muaj para vrasjes në Amsterdam.

Në parkim, ngjitur me Smart-in ku u vra Sulku, Policia gjeti edhe një furgon. Edhe ai ishte vjedhur në Amsterdam.

Policia tashmë i ka të gjitha detajet e ekzekutimit, por nuk ka mundur të zbardhë motivin dhe autorët.

Shihni videon e mëposhtme, të titruar në shqip, që tregon në mënyrë të detajuar si u vra Sulku.

Vrasja e tij dyshohet se ka lidhje me atentatin e 27 majit në Tiranë, ku mbeti i vrarë vëllai i tij, Besnik Sulku. Ai dyshohet se e qëlloi Mentor Lufin dhe Gerti Goxhajn për të marrë hak.

Prokuroria shqiptare i ka kërkuar zyrtarisht informacion Prokurorisë së Roterdamit mbi këtë vrasje, raporton TV Klan.

Ndërkohë, roli i italianit Salvatore Lettizia mbetet i paqartë. Ai konsiderohet vrasës me pagesë i një grupi të Camorras dhe ishte i njohur i Besnik Sulkut.