LAJMI I FUNDIT:

BE-ja nuk pajtohet me Ligjin për Zyrtarët Publikë: Komentet e bëra nga ne nuk janë marr parasysh nga Qeveria dhe Kuvendi

BE-ja nuk pajtohet me Ligjin për Zyrtarët Publikë: Komentet e bëra nga ne nuk janë marr parasysh nga Qeveria dhe Kuvendi

Reforma në administratë publike është një prej objektivave kyçe në programin e Qeverisë të Kosovës, porse ka politizim në proceset e rekrutimit dhe mungesë të meritokracisë. Kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në konferencën vjetore “Par Progresi Kosovë 2023”, të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS). Ndërsa, ambasadori Tomas Szunyog tha se Bashkimi Evropian nuk pajtohet me mënyrën se si qeveria ka zgjedhur të shqyrtojë Ligjin për Zyrtarët Publikë.

Kurti tha se administrata publike efikase është parakusht thelbësor i zhvillimit, duke shtuar se kjo është edhe një nga objektivat kyçe të qeverisë.


“Në ndërlidhje mes shtetit, qytetarëve dhe sektorit privat, jetësohet roli i administratës publike. Po ashtu, shpërfaqet nevoja që ndërveprimi midis këtyre akterëve të jetë parimor. Republika e Kosovës qartëzi e ka përcaktuar orientimin dhe politikat e saj shtetërore drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, kemi ndërmarrë barrën e reformimit të sektorëve jetik, përfshirë këtu edhe reformimin e administratës publike. Faktorët dhe shkaqet që kanë ndikuar në nevojën e një reformimi thelbësor në administratën publike kanë variuar përgjatë viteve. Megjithatë në mënyrë konstante, ata kanë mbërthyer urgjencën që administrata t’i përgjigjet zhvillimit të kohës dhe kontekstit social në vend”, u shpreh Kurti.

Shefi i ekzekutivit ka shtuar se meritokracia, transparenca, llogaridhënia e mos diskriminimi mundësojnë administratë publike efikase. Megjithatë, Kurti shtoi se raportet vendore e ndërkombëtare kanë potencuar të kundërtën.

“Këto raporte kanë potencuar se kemi politizim në proceset e rekrutimit dhe mungesës së meritokracisë. Pastaj që në Kosovë kishim mungesë të profesionalizimit, zhvillimit profesional dhe të trajnimeve kualitative. Se ka mungesë të llogaridhënies e gjithashtu mungesë të matjes adekuate të performancës. Në vitet e shkuara pra raportet vendore e ndërkombëtare i kanë gjetur këto katër konstatime, të cilat ne duhet t’i adresojmë edhe në plotni edhe me urgjencë”, ka deklaruar ai.

Kurti: Për herë të parë kemi unifikim të pagës në sektorin publik
Lexo po ashtu Kurti: Për herë të parë kemi unifikim të pagës në sektorin publik

Po ashtu, Kurti ka potencuar se janë në pritje të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese sa i përket Ligjit për Zyrtarët Publikë.

Ndërkaq, Szunyog ka kritikuar procedurën e miratimit të këtij Ligji, duke thënë se nuk pajtohet me mënyrën se si qeveria ka shqyrtuar të njëjtin.

“Dy miratimet që janë bërë në fund të vitit për sa i takon rishikimet e Ligjit për Pagat dhe Ligji për Shërbyesit Publik, siç kemi thënë më parë nuk pajtohemi me qasjen që ka marrë Kuvendi për të miratuar këto ligje në procedurë të shpejtë. Sepse ligje të tilla duhet të ngërthejnë konsultime të dobishme me gjitha palat e interesit. Megjithatë këto konsultime nuk janë bërë në bazë të rregulloreve përkatëse. Ligji i ri për Zyrtarët Publikë, i cili është duke u shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese, ky Ligj drejtpërdrejt ndërlidhet me parimet e administratës publike moderne. Ne pranojmë që ka një boshllëk në këtë aspekt. BE nuk pajtohet me mënyrën se si qeveria ka zgjedhur të shqyrtojë këtë ligj dhe më vjen keq të them që komentet që ka bërë BE dhe SIGMA, asnjëra nga to nuk është marrë parasysh nga Qeveria apo Parlamenti. Zyrtarët publikë i vendos ata në një rrezik të korrupsionit dhe ndikimit politikë. Edhe pse ka disa boshllëqe, asnjë rekrutim nuk është bërë që dy vite. Ligji i ri nuk do të krijoj kushte për të rekrutuar njerëz në këto pozita të lira”, ka deklaruar Szunyog.

Drejtoresha ekzekutive e GLPS-së, Arbëresha Loxha-Stublla ka folur për rëndësinë e reformës në administratës publike, duke theksuar se është një nga proceset fondamentale për shtetet që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

“Këto procese definojnë atë çfarë realisht e bën administratën publike plotësisht funksionale, në mënyrë që të ofrojë shërbime për qytetarët e vendit, në mënyrë transparente, efektive dhe efikase dhe gjithashtu të ndihmojë zhvillimin ekonomik të vendit. Vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, monitorohen nga SIGMA bazuar në metodologjinë dhe në parimet apo principet të cilat mbështeten nga Bashkimi Evropian. Që nga vitit 2016, kësaj perspektiva i është shtuar edhe monitorimi nga perspektiva e shoqërisë civile”, ka përfunduar ajo. /KP/