Një vendim i së shtunës në mbrëmje i qeverisë në detyrë të Kosovës për të zgjeruar masat e reciprocitetit me Serbinë, ka nxitur reagime në Kosovë, Bruksel dhe Serbi.
Vendimi i qeverisë ka të bëj me moslejimin e hyrjes së mallrave serbe, të cilat nuk posedojnë dokumente që i referohen Kosovës me emrin e saj kushtetues, Republika e Kosovës.
“Edhe emri ‘Kosovë’ është kushtetues, mirëpo, së fundmi Serbia ka ndërruar qasje duke kushtëzuar përdorimin e emrit ‘Republika e Serbisë’. Ne i kundërvihemi me masë reciproke. Obligohet Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë të përdorë stemën dhe emrin ‘Republika e Kosovës’ në të gjitha certifikatat fitosanitare dhe veterinare. Pra, asnjë maune nuk mund të hyjë në Kosovë nëse në certifikatat e tyre nuk figuron: Republika e Kosovës”, shkroi kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, të dielën.
Më 31 mars, qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti kishte shfuqizuar tarifën ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjë dhe Hercegovinës, duke e zëvëndësuar me masën e reciprocitetit ndaj Serbisë.
Reagime në Bruksel dhe Beograd
Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë dhe për çështje të tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor, Mirosllav Lajçak, ka shprehur zhgënjimin për masat e reja të reciprocitetit ndaj Serbisë, të cilat i ka miratuar qeveria në detyrë e Kosovës.
“I zhgënjyer në lidhje me masat e reja të reciprocitetit të paraqitura nga qeveria në detyrë e Kosovës. Këso veprime të njëanshme dëmtojnë rifillimin e dialogut dhe duhet të hiqen menjëherë. Siç është thënë në vazhdimësi, ne presim që të dyja palët në dialog të zbatojnë dhe të respektojnë marrëveshjet e kaluara”, ka shkruar Lajçak në rrjetin social Twitter.
Pas reagimit të Lajçakut, kryeministri Kurti ka thënë përmes një postimi në Twitter se”refuzimi i parimit të reciprocitetit është mohim i ushtrimin të të drejtave sovrane të Kosovës”.
Kjo është hera e parë që zyrtarët e Bashkimit Evropian shprehen me tone kritike për masat e reciprocitetit të qeverisë në detyrë të Kosovës ndaj Serbisë. Pas heqjes së tarifës 100% ndaj mallrave serbe dhe vendosjes së masave të para të reciprocitetit, zyrtarët e BE-së kryesisht nuk e kanë komentuar këtë çështje, por vetëm kanë përshëndetur heqjen e tarifës.
Më 7 prill, Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se mirëpret vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqje të tarifës ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.
“Bashkëpunimi rajonal është kyç ashtu si është tregtia e lirë, në një kohë krize si tash me përballjen me COVID-19”, ka thënë Borrell.
Më herët, Shtetet e Bashkuara, pëmes ambasadës së tyre në Prishtinë, kanë thënë se kundërshtojnë masat e reciprocitetit, që u ka vënë Qeveria në detyrë e Kosovës mallrave nga Serbia.
“Shtetet e Bashkuara ishin të qarta se Kosova duhet t’i heqë të gjitha tarifat dhe të mos krijojë barriera të reja, sepse këto politika i lëndojnë njerëzit e Kosovës dhe e ngufatin ekonominë e vetë Kosovës. Mbesim në kundërshtim të veprimit të fundit për zbatimin e masave të reciprocitetit ndaj qarkullimit të mallrave nga Serbia”, thuhej në reagimin e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, të bërë më 1 prill.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha se masat e paraqitura nga autoritetet e Kosovës, nuk kanë asnjë lidhje me reciprocitetin. Ajo tha se Beogradi do të luftojë me mjete diplomatike për të zgjidhur këtë situatë.
“Nuk mund të keni masa reciprociteti nëse nuk është në përputhje me marrëveshjen e tregtisë së lirë të CEFTA-së e cila është e nënshkruar edhe nga ana e Prishtinës”, tha Bërnabiq, gjatë një vizite në jug të Serbisë.
Më herët, reagime ka pasur edhe nga ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, i cili tha se dialogu në Bruksel “nuk do të vazhdojë derisa të gjitha këto vendimet nuk tërhiqen nga ana e autoriteteve të Prishtinës”.
Thaçi dhe Hoti kundërshtojnë vendimin e qeverisë
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kundërshtuar vendimin e qeverisë në detyrë të Kosovës për të zgjeruar masat e reciprocitetit me Serbinë.
“Me vendimin për kinse reciprocitet, ai vazhdoi duke bërë hapa në kundërshtim me kërkesat dhe pritjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe të BE-së, duke rrezikuar tërë atë që kemi arritur dhe ndërtuar për më shumë se dy dekada. Kosova ka fituar lirinë dhe shtetësinë me përkrahjen e SHBA-së dhe partnerëve evropianë dhe vetëm me këtë përkrahje e partneritet ka të ardhme të sigurt. Çdo cenim i këtyre raporteve është rrezikim i shtetit dhe rrezikim i së ardhmes së Kosovës.”, ka shkruar presidenti Thaçi në rrjetin social Facebook.
I mandatuari i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Avdullah Hoti, ka thënë se veprimet e fundit të qeverisë në detyrë të Kosovës “nuk e ndihmojnë vendin, por e vënë atë në kurth”.
“Qeveria e re do të koordinohet me partnerët strategjikë të Kosovës duke hequr çdo pengesë për dialog. Vetëm përmes këtij koordinimi ne e avancojmë pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe ia heqim Serbisë alibinë për ta zvarritur marrëveshjen për njohjen reciproke”, ka shkruar Hoti në rrjetin social Facebook.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka mbrojtur vendimin e qeverisë në detyrë të Kosovës për të zgjeruar masat e reciprocitetit ndaj Serbinë. Ajo i ka reaguar përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, i cili kërkoi heqjen e këtyre masave.
Osmani përmes një postimi në rrejtin social Twitter, ka thënë se të hedhësh poshtë parimin e reciprocitetit do të thotë të refuzosh marrëveshjet e arritura në dialog.
“Marrëveshjet i referohen masave reciproke në tregti dhe respektimin e standardeve ndërkombëtare.Standardi më i rëndësishëm në tregti është: reciprocitet. Ajo që po bën Kosova është pikërisht ajo që po na kërkoni: të zbatojmë marrëveshjet”, ka shkruar Osmani.
Qeveria Kurti e ka hequr tarifën ndaj mallrave serbe duke e zëvëndësuar atë me masat e reciprocitetit.
Mirëpo, Serbia ka thënë se nuk do të ketë vazhdim të dialogut pa u shfuqizuar të gjitha masat, përfshirë reciprocitetin.
Dialogu Kosovë-Serbi, i cili ka nisur qysh në vitin 2011 me ndërmjetësimin e BE-së, është ndërprerë qysh në fund të vitit 2018, për shkak të një takse që u kishte vënë Qeveria e atëhershme e Kosovës prodhimeve të importuara nga Serbia.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNga Rubrika
Jakim Nedellkov, Shaqirit: Tërhiqe menjëherë njoftimin për t’u kompensuar 24 prilli dhe 8 maji
“Marrje në pyetje e maltretim”, i riu nga Gjilani rrëfen për ndalimin në kufijtë e Serbisë
Maqedonci ngre alarmin: Tensionet vazhdojnë, Serbia nesër do të testojë dronë kamikazë në kufi me Kosovën
Ndalimi i policëve të Kosovës, DASH: Serbia po bën veprime përshkallëzuese
Brnabiq arsyeton arrestimin e zv.drejtorit Jankoviq, reagon Surroi: Ndërhyrje në identitetin e serbëve të Kosovës
Pronari i “Zhitia Turist” tregon se çfarë u është thënë udhëtarëve të ndaluar nga Serbia në kufi
Qeveria e RMV-së vendosi: 24 prilli dhe 8 maji ditë jo pune për të gjithë qytetarët
Arrestimi i zv.drejtorit të Policisë së Kosovës, analistët në Beograd: "Shfaqja e muskujve" nga Vuçiqi
Pa marrëveshje për dinarin, Bislimi: Ishte takim i kotë, Serbia e painteresuar për marrëveshje
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Krijo hapësirën tënde të biznesit – zyre me qira te 4 Llulat – 300€/muaj ID-252
Më të lexuarat
Notat e lojtarëve, Man City 1-1 Real Madrid: Lunin heroi i mbretërve
Komandanti suprem i NATO-s, Cavoli: Po i shtojmë forcat në Kosovë dhe Bosnje, po sjellim artileri të rëndë
Arrestohet një i dyshuar lidhur me rastin e ukrainases që u gjet e vdekur në autostradën Ferizaj-Prishtinë
Sir Alex Ferguson i ofroi lojtarit të Man United 100 mijë euro për t'u tërhequr nga futbolli
Hisen Berisha 'ngacmon' Adelina Ismailin në emision: "Ushtrinë time do ta bëj" ma ke kushtuar mua, sepse po e bëja ushtrinë në atë kohë
Mbretër për Ligën e Kampionëve, Real Madridi fiton ruletin e penalltive dhe eliminon kampionin