Ministria e Punëve të Jashtme të Izraelit sërish ka sulmuar verbalisht zyrtarët turq në rrjetet sociale, ndërsa kësaj radhe ka publikuar edhe një hartë për të “mbështetur” pretendimet e saj.

Ministria izraelite publikoi një hartë të Turqisë dhe vendeve përreth, duke pretenduar se Ankaraja kontrollon ose “pushton” më shumë territore të vendeve fqinje sesa Izraeli.


“Turqia ka guximin të kritikojë Izraelin. Por cila është realiteti në terren? Mijëra ushtarë turq, dhjetëra baza ushtarake dhe pika të avancuara në të gjithë Sirinë, Irakun dhe Qipron”, thuhet në reagimin e ministrisë.

Sipas Izraelit, kjo politikë e Turqisë “nuk njeh kufij”.

“Agresioni ushtarak i Erdoganit nuk njeh kufij. Turqia pushton 36 për qind të Qipros, 5 për qind të Sirisë dhe rreth 2000 kilometra katrorë të Irakut”, deklaroi Ministria e Jashtme izraelite.

Në të njëjtin reagim, Izraeli pretendon se aktualisht kontrollon vetëm 0.1 për qind të territorit të Sirisë, duke e përshkruar atë si një zonë tampon të krijuar për mbrojtjen e qytetarëve izraelitë nga kërcënimet e sigurisë. /Telegrafi/