LAJMI I FUNDIT:

Izraeli, Openhajmeri dhe ligjet e luftës

Izraeli, Openhajmeri dhe ligjet e luftës
Ilustrimi: James Ferguson / FT

Nga: Gideon Rachman / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

“Data që do të jetojë në turp” ishte mënyra se si Franklin Delano Roosevelt e përshkroi 7 dhjetorin e vitit 1941 – ditën kur Japonia e sulmoi Amerikën në Përl Harbër, duke vrarë 2 403 veta nga personeli amerikan, përfshirë 68 civilë.


Si kundërpërgjigje, ShBA-ja nisi luftën gjithëpërfshirëse kundër Japonisë që kulmoi me përdorimin e bombës atomike. Është vlerësuar se rreth 70 mijë njerëz u vranë vetëm në Hiroshimë.

Për Izraelin, 7 tetori 2023 është data që do të jetojë në turp. Sulmet terroriste të Hamasit vranë rreth 1 200 njerëz, shumica prej tyre civilë, ndërsa më shumë se 240 vetë u morën peng. Besohet se, deri tash, reagimi i egër i Izraelit ndaj sulmeve të Hamasit ka vrarë më shumë se 11 500 njerëz në Gazë.

Që në fillim, Izraeli ka qenë i acaruar nga kritikat e huaja për veprimet e tij në Gazë – dhe, është kthyer në Luftën e Dytë Botërore për t’i justifikuar ato. Ish-kryeministri izraelit, Naftali Bennett, pa fije dyshimi reagoi kur në fillim të konfliktit u pyet për viktimat civile. Përgjigja e tij ishte: “Seriozisht po më pyet për civilët palestinezë? Çfarë problemi ke? … Po i luftojmë nazistët”!

Benjamin Netanyahu, kryeministri aktual i Izraelit, audiencës perëndimore ia ka kujtuar vdekjet masive të civilëve të shkaktuar nga bombardimet e Drezdenit nga aleatët në vitin 1945. Një ministër izraelit madje spekuloi për hedhjen e armës bërthamore në Gazë – edhe pse shpejt u qortua.

Megjithatë, në mendjen e publikut qëndrojnë dilemat morale të shtruara nga Hiroshima, kjo për shkak të suksesit të madh të Opënhajmerit [Oppenheimer]. Filmi flet për babanë e bombës atomike që ka brejtje retrospektive për përdorimin e saj. Por, shikuesit lejohen që vetë të vendosin. A kishte të drejtë J Robert Oppenheimeri që u pushtua nga faji? Apo, kishte të drejtë presidenti Harry Truman që atë e quajti “qaraman” – për keqardhjen për aktin e fundit të egërsisë që nevojitej për t’ia dhënë fundin një lufte të egër?

Hollivudi mund të jetë i papërcaktuar. Por, e drejta ndërkombëtare është e qartë. Sot, si krim lufte cilësohet përdorimi i bombave bërthamore ose konvencionale që qëllim të vetëm kanë shkaktimin e viktimave masive civile.

Kjo nuk është pikëpamja e kohëve të fundit që paramendohet nga tofu-eating wokerati [deklaratë e ish-ministres së Brendshme britanike, Suella Braverman, kundër aktivistëve ambientalë me të cilën thënie i akuzon se po e shfrytëzojnë situatën dhe se po e lexojnë ditoren The Guardian – shën. i përkth.]. Konventat e Gjenevës të vitit 1949, të cilat të paligjshme e bënë shënjestrimin e qëllimshëm të popullatës civile, janë hartuar si përgjigje ndaj tmerreve të Luftës së Dytë Botërore. Ato janë ratifikuar nga secili vend i botës.

Gjithashtu, Konventat e Gjenevës si krim lufte e konsiderojnë edhe ndërprerjen e ujit dhe të energjisë elektrike për popullsinë civile në një zonë lufte. Ky ishte kërcënimi që Izraeli e bëri në fillim të konfliktit të Gazës, të cilin tashmë e ka tërhequr – megjithëse mbetet shumë e kufizuar sasia e karburantit dhe e ujit të lejuar në Gazë.

Pavarësisht retorikës së politikanëve si Bennett dhe Netanyahu, ushtria izraelite pohon se po vazhdon të ndjek ligjin ndërkombëtar. IDF-ja [Forcat Mbrojtëse të Izraelit] thotë se të gjitha fushatat e saj bombarduese kanë qenë në ndjekje të objektivave legjitime ushtarake dhe se, për fat të keq, viktimat civile janë pasojë e së drejtës së Izraelit për vetëmbrojtje.

Nuk ka dyshim se, sipas ligjit ndërkombëtar, Izraeli e ka të drejtën legjitime për vetëmbrojtje. Kjo është arsyeja se pse janë të pakta krahasimet midis veprimeve izraelite në Gazë dhe të sulmeve ruse në Ukrainë. Ndryshe nga Rusia, Izraeli u sulmua.

Sipas ligjit ndërkombëtar, e drejta për vetëmbrojtje i lejon veprimet të cilat shumë vëzhgues i supozojnë si “krime lufte”. Për shembull, mund të jetë e ligjshme të sulmosh një spital nëse përdoret si bazë e operacioneve të armikut. Kështu e justifikoi Izraeli sulmin e vet ndaj spitalit al-Shifa në Gazë.

Pas hyrjes në al-Shifa, Organizata Botërore e Shëndetësisë atë e përshkroi si “zonë vdekjeje”. Deri tash, izraelitët nuk kanë dhënë dëshmi të fuqishme se spitali me të vërtetë ishte bazë e madhe e operacioneve të Hamasis. Por, edhe mbajtja e municioneve në një spital, ose përdorimi i tij si pozicion zjarri, atë mund ta bëjë objektiv legjitim – sipas ligjit ndërkombëtar. Megjithatë, goditja do të ishte e ligjshme vetëm nëse avantazhi i fituar ushtarak gjykohet si proporcional me “dëmin kolateral” ndaj civilëve.

Fatkeqësisht, sulmet ndaj spitaleve nuk janë devijimi i veçantë, siç besojnë shumë nga kritikët e Izraelit. Një dokument i ri i Institutit Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara në Londër [RUSI], thekson se vetëm në këtë vit kanë ndodhur 855 sulme në objektet mjekësore – në 18 zona konflikti. Forcat siriane dhe ruse sistematikisht i bombarduan spitalet në Siri, duke shkaktuar viktima masive, dhe më pas sistematikisht i mohuan veprimet e veta.

Megjithatë, janë skenat në al-Shifa dhe gjetkë në Gazë ato që kanë irrituar opinionin botëror. Edhe nëse Izraeli e ka mundësinë për t’i bindur juristët ndërkombëtarë se veprimet e tij ishin të ligjshme, shumë vëzhgues do të vazhdojnë të besojnë se ishin të pamoralshme.

Ky hendek i perceptuar midis ligjshmërisë dhe moralit, nuk është i pazakontë në historinë e luftës. Në fakt, ishte tmerri retrospektiv për taktikat e përdorura në luftërat e mëparshme, ai që shpeshherë shpiu në përparimin e së drejtës ndërkombëtare humanitare. Pas Luftës së Parë Botërore, përdorimi i gazit helmues u bë i paligjshëm. Konventat e Gjenevës u zgjeruan pas Luftës së Dytë Botërore dhe më pas, përsëri në vitet 1970, si reagim ndaj formave të reja të luftës dhe armatimit.

Mjeku i ushtrisë britanike dhe autor në publikimin e fundit të RUSI-t, Si Horne, pohon se ndryshimi i radhës në të drejtën ndërkombëtare humanitare duhet të jetë “përjashtimi i përdorimit të armëve shpërthyese në spitale”. Nëse kjo mundet të ndodh, disa të mira të qëndrueshme mund të dalin edhe nga tragjeditë në Gazë. /Telegrafi/