Izraeli godet reaktorin bërthamor joaktiv në Iran

Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) thanë se kishin goditur një reaktor bërthamor joaktiv midis dhjetëra objektivave në Iran, kryesisht në kryeqytetin e tij, Teheran.
Dyzet aeroplanë të Forcave Ajrore të Izraelit u përfshinë në sulmet gjatë natës deri të enjten, më 19 qershor, tha IDF, transmeton Telegrafi.
"Si pjesë e sulmeve dhe si pjesë e përpjekjes së gjerë për të parandaluar regjimin iranian të pajiset me një armë bërthamore, reaktori bërthamor në zonën e Arakut në Iran u shënjestrua, duke përfshirë strukturën e vulës së bërthamës së reaktorit, e cila është një komponent kyç në prodhimin e plutoniumit", tha IDF në një deklaratë.
"Ndërtimi i reaktorit filloi në vitin 1997, por nuk u përfundua për shkak të ndërhyrjes së komunitetit ndërkombëtar. Reaktori fillimisht ishte menduar për prodhimin e plutoniumit të gradës së armëve, i aftë të mundësonte zhvillimin e armëve bërthamore", u tha ndwr tjera.
IDF tha se sulmi i saj "shënjestroi komponentin e destinuar për prodhimin e plutoniumit, me qëllim që të parandalonte restaurimin dhe përdorimin e reaktorit për zhvillimin e armëve bërthamore".
Irani thotë se nuk po përpiqet të ndërtojë një armë bërthamore. Ai thotë se programi i tij bërthamor është i destinuar për qëllime civile të energjisë, dhe e ka akuzuar Izraelin për një "luftë agresioni".
Ushtria izraelite tha gjithashtu se kishte goditur "një vend të zhvillimit të armëve bërthamore në zonën e Natanzit".
"Vendi përmbante komponentë dhe pajisje të specializuara të përdorura për të çuar përpara zhvillimin e armëve bërthamore, dhe projekte të hartuara për të përshpejtuar programin bërthamor të regjimit ishin të vendosura atje", tha IDF.
Izraeli goditi gjithashtu "vende prodhimi ushtarak" për prodhimin e raketave balistike dhe sistemeve të mbrojtjes ajrore, si dhe "bateri të mbrojtjes ajrore, vende të magazinimit të raketave tokë-tokë, sisteme radarësh zbulimi dhe pajisje zbulimi që i përkisnin regjimit iranian". /Telegrafi/










































