LAJMI I FUNDIT:

Izraeli dëshiron të vrasë përbindëshin në fqinjësi, por bombardimi vdekjeprurës po e ushqen atë

Izraeli dëshiron të vrasë përbindëshin në fqinjësi, por bombardimi vdekjeprurës po e ushqen atë

Nga: Jonathan Freedland / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Kur do të marrë fund? Disa e shtrojnë këtë pyetje të dëshpëruar, duke dashur t’ju jepet fundi fotografive të ndërtesave të dërrmuara dhe të jetëve të shkatërruara – imazheve të njëpasnjëshme të zymta që çdo ditë dalin nga Gaza. Disa e shtrojnë këtë pyetje për të ushtruar presion, bashkë me Këshillin e Sigurimit të OKB-së që debaton për kërkesën për një armëpushim që nga sot. Të tjerët pyesin nëse përgjigja qëndron tek Uashingtoni, duke vërejtur një urgjencë të re në thirrjen e përsëritur të Sekretarit të Shtetit Antony Blinken, për Izraelin, që të mbyllet “hendeku” midis qëllimit të tij të deklaruar për të mbrojtur civilët dhe “rezultateve aktuale që shohim në terren”.

Shtrojeni pyetjen te figurat e larta ushtarake, izraelite dhe amerikane – siç kam bërë unë në këtë javë – dhe do të dëgjoni një mori të përgjigjeve. Përfundimin e intensitetit aktual të bombardimeve, disa e parashikojnë brenda disa ditëve, e të tjerë flasin për javët. Por, pyetja më e frytshme mund të mos jetë kur, por pse. Pse luftimet ende vazhdojnë, edhe tash – më shumë se dy muaj pas masakrës së 1 200 izraelitëve nga Hamasi më 7 tetor? Siç mund ta thonë ata që kërkojnë armëpushim të menjëhershëm, është e sigurt që Izraeli deri tash ka goditur rreptë? Është e sigurt se e ka bërë të qartë qëllimin?


Në kërkim të përgjigjes, një pike e duhur për të filluar mund të jetë zona që është ndër më të dhimbshmet. Për shumë javë, aktivistët i kanë kërkuar OKB-së dhe të tjerëve që t’ia kushtojnë vëmendjen provave tashmë gjerësisht të dokumentuara – të dhunës seksuale të kryer nga burrat e Hamasit më 7 tetor. Trupat e grave dhe vajzave të vdekura izraelite rrëfyen për një histori të qartë, të qëndrueshme dhe pikëlluese që tani po plotësohet nga dëshmitë e atyre që i përjetuan ato ngjarje. Fola me drejtorin e Shoqatës së Qendrave të Krizës së Përdhunimeve në Izrael, i cili konfirmoi se organizata ka informacione, se ka edhe dëshmitarë dhe të mbijetuar të dhunës seksuale të 7 tetorit. Intervista e policisë me një grua që njihet si Dëshmitarja S, e cila ishte në festivalin muzikor Nova ku u vranë më shumë se 300 vetë, përfshin detajet që janë tepër të tmerrshme për t’u përsëritur këtu: mjafton të thuhet se ka përshkruar një valë të torturave seksuale dhe të gjymtimit që shpirtin ta lëndojnë.

Kjo është njëra arsye se pse Izraeli ende po e lufton Hamasin dhe pse Hamasi ende gjuan raketat në Tel-Aviv – që në të vërtetë është një arsye e drejtpërdrejtë për një kuptim më specifik. Javën e kaluar, i erdhi fundit serisë së armëpushimeve të njëpasnjëshme. Të dyja palët fajësojnë njëra-tjetrën, por Izraeli këmbëngul se Hamasi refuzoi të vazhdojë lirimin e premtuar të 10 pengjeve – femra izraelite. Si qeveria e ShBA-së ashtu edhe ajo izraelite dyshojnë se një faktor në atë refuzim ishte frika e Hamasit se gratë do të dëshmonin për abuzim seksual nga ana e rrëmbyesve të tyre. “E dimë pse nuk po i kthejnë dhe ata e dinë që ne e dimë”, tha një zyrtar izraelit për faqen e lajmeve Ynet. Supozimi është se Hamasi i frikësohet marrjes së fytyrës në sytë e një pjese të opinionit mysliman dhe arab që ndonëse është gati për të falur veprimet e armatosura kundër izraelitëve, do të dënonte brutalitetin seksual.

Kjo vazhdon së bashku me bindjen brenda Izraelit se një sërë e vijave të kuqe morale u kaluan dy muaj më parë, dhe kështu modeli i njohur i konfrontimeve të mëparshme, të kufizuara midis Hamasit dhe Izraelit, këtë herë nuk mund të zbatohet. Kjo ndjenjë përqendrohet më pak në numrin e të vrarëve sesa në mënyrën e vrasjes së tyre: sadizmi dhe mizoria, torturat e fëmijëve dhe të moshuarve dhe përdhunimet e grave dhe vajzave të reja.

“Është një përbindësh që u rrit në anën tjetër të gardhit”, këtë javë më tha Ilana Dayan, një nga gazetaret më të njohura televizive të Izraelit. “Na pushtoi brutalisht, jo vetëm territorialisht: na përdhunoi. Na përdhunoi, na theri, na masakroi, na rrëmbeu, na rrëmbeu fëmijët, na rrëmbeu gjyshet, na rrëmbeu shpirtin. Dhe, krejt papritur kuptuam se këtë përbindësh duhet ballafaquar”.

Kjo goxha ka të bëjë me shpjegimin se pse ekziston një konsensus nga e djathta në të majtën e Izrael, prapa qëllimit të deklaruar të kësaj lufte – domethënë humbjes, nëse jo shpërbërjes të Hamasit si forcë luftarake e aftë për të qeverisur Gazën: izraelitët duan ta vrasin përbindëshin në fqinjësi. Me përjashtim të ndonjë kërkese të drejtpërdrejtë nga Joe Bideni për ndalesë – dhe ndoshta as atëherë – ata nuk do të pushojnë derisa të besojnë se qëllimi është arritur, pavarësisht se sa i zhurmshëm është kori i dënimit ndërkombëtar.

Në gjithë këtë, nuk duhet nënvlerësuar rëndësia e dhunës seksuale. Siç ma tha një historian i shquar izraelit, në një email gjatë kësaj jave, “Më 7 tetor [vetë] Izraeli u përdhunua dhe u poshtërua; përdhunimi masiv i grave (dhe i disa burrave) ishte mikrokozmos i përshtatshëm. Kjo është diçka që thjesht nuk është kuptuar jashtë Izraelit”. Kjo ndjenjë e shkeljes dhe poshtërimit ka ushqyer zemërimin që veçanërisht ndjehet, siç shkroi historiani, në krye të IDF-së [Forcave Mbrojtëse të Izraelit] dhe në inteligjencën izraelite, nga ata që injoruan shenjat paralajmëruese dhe që lejuan të ndodhte 7 tetori. Ata komandantë kanë nevojë për të kompensuar, madje edhe për të shlyer dështimin e tyre. “Nuk mendoj se Netanyahu mund ta ndalojë IDF-në, edhe po do të donte”.

Nuk keni nevojë të keni asnjërën nga këto ndjenja, apo edhe të simpatizoni me to – por, duhet t’i kuptoni nëse doni ta kuptoni këtë luftë. Në të vërtetë, ajo që izraelitët e perceptojnë si mungesë mirëkuptimi dhe ndjeshmërie në mbarë botën, pikërisht i ka përforcuar ato ndjenja. Ajo heshtje e gjatë e OKB-së dhe OJQ-ve të ndryshme përballë provave të shumta të dhunës seksuale ndaj grave dhe vajzave izraelite, ka ushqyer besimin se vështirë se ia vlen t’ju kushtohet vëmendja institucioneve kryesore të opinionit botëror, pasi ato ia nisën nga një pozicion armiqësor. Kjo pikëpamje nxjerr përfundimin e zymtë se, kur bëhet fjalë për mbrojtjen, hebrenjtë mund të mbështeten vetëm tek vetvetja, një pozicion që ngurtësohet falë episodeve të tilla – si përgjigja befasuese e drejtuesve të tre universiteteve të Ligës Ajvi [The Ivy League], kur gjatë kësaj jave u pyetën javë nëse kampuset e tyre do të toleronin thirrjet për gjenocid kundër hebrenjve: “Ky është një vendim që varet nga konteksti”, ishte përgjigja.

E, megjithatë, duhet të jetë e mundshme që të ndihet empatia me dëshirën e Izraelit, me nevojën e tij për t’u çliruar nga përbindëshi i Hamasit në fqinjësi – ndërkohë që ende këshillohet se po e merr rrugën e gabuar në Gazë. Biseda ime më interesante e kësaj jave ishte me një figurë dikur të rangut të lartë në ushtrinë amerikane. Ai beson se Izraeli duhet të mendojë jo vetëm taktikisht – duke e goditur përbindëshin – por, edhe në aspektin strategjik, duke i trajtuar kushtet në të cilat është rritur përbindëshi. Sipas tij, ka rëndësi trajtimi i entitetit fizik të Hamasit, por po ashtu ka rëndësi edhe “narrativa e rezistencës” më të madhe nga e cila shfaqet Hamasi, po si Hezbollahu. Për të qenë me të vërtetë i sigurt, thotë ai, Izraeli duhet ta mposht atë narrativë dhe idenë – mu në thelbin e saj: domethënë, se kurrë nuk mund të ketë paqe mes Izraelit dhe popullit palestinez.

Zhdukja e kësaj ideje kërkon nga Izraeli që palestinezëve t’ua ofrojë shpresën: një horizont politik që do të përfshinte mundësinë e shtetësisë eventuale dhe fundin e pushtimit. Dhe, kjo do të nënkuptonte luftë shumë më ndryshe, një luftë që do t’ua bënte me dije palestinezëve se lufta e Izraelit nuk është me ta si popull, por vetëm me Hamasin. Jo më bomba 900 kilogramëshe që rrafshojnë lagjet e tëra dhe zjarrin e artilerisë, por ekipet e vogla të këmbësorisë që lëvizin shpejt, rrugë më rrugë, madje edhe shtëpi më shtëpi – ndjekur nga trupat mbështetëse, nga një “valë humanitare” që sjell ushqim, ujë dhe ilaçe, dhe rikthimin e energjisë elektrike. Kjo qasje mund të rrezikojë një numër më të madh të viktimave izraelite, por dalëngadalë, thotë ish-komandanti, Izraeli do të eliminonte besimin se është armik i paepur me të cilin palestinezët nuk mund të pajtohen kurrë – dhe besimi i tillë ka rëndësi. “Terreni më i rëndësishëm në planet është gjashtë centimetra midis veshëve”, thotë ai.

Mund të jetë tepër vonë – dhe një qasje e tillë sigurisht që do të kërkonte udhëheqje të re izraelite – por, kjo është pikëpamja që Izraeli duhet ta dëgjojë. Ai e kupton dhimbjen, shkeljen që pësoi vendi më 7 tetor, simpatizon popullin e vet, e megjithatë ka frikë se Izraeli, me veprimet e veta, nuk po e vret përbindëshin që e terrorizoi atë ditë – porse atë po e ushqen. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Pjesëtarë të forcës strategjike të NATO-s shfaqen te Ura e Ibrit dhe në veri të Kosovës, KFOR-i del me njoftim

Pjesëtarë të forcës strategjike të NATO-s shfaqen te Ura e Ibrit dhe në veri të Kosovës, KFOR-i del me njoftim

Siguri
Mysafirëve në

Mysafirëve në "daljen e parë publike në 11 vjet" të Michael Schumacher iu dha një rregull i rreptë për t'u ndjekur

Formula 1
Traore dhe Walker u përfshinë në një duel shpejtësie dhe aty kishte një fitues të qartë

Traore dhe Walker u përfshinë në një duel shpejtësie dhe aty kishte një fitues të qartë

Premier League
Serwer: SHBA duhet të korrigjojë gabimet diplomatike në Kosovë dhe Bosnje

Serwer: SHBA duhet të korrigjojë gabimet diplomatike në Kosovë dhe Bosnje

Lajme

"Paraqitja e parë publike": Vëllai i Michael Schumacher jep përditësimin shëndetësor të legjendës së F1

Formula 1

"Dragoi" ukrainas shkatërron tankun e ushtrisë ruse, publikohen pamjet

Evropa
Kalo në kategori