Qendërmbrojtësi Ardian Ismajli ka dhënë një intervistë të gjatë për faqen zyrtare të Torinos duke treguar prej nga vjen, karrierën dhe kombëtaren e Shqipërisë, ku ndër të tjera me krenari tregoi se është shqiptar i Kosovës.

Ismajli në këtë intervistë të gjatë zbuloi se momenti i krenarisë më i madh ishte kur mori shiritin e kapitenit vitin e kaluar për disa ndeshje në Ligën e Kombeve.


“Ne themi gjithmonë se jemi të gjithë shqiptarë, por ka shqiptarë nga Shqipëria dhe shqiptarë nga Kosova. Unë jam shqiptar nga Kosova. Jemi tre fëmijë: unë, një vëlla tjetër dhe kemi edhe një motër. Babai punon në fushën e politikës. Vëllai ka luajtur futboll më parë, por tani nuk luan më, është bërë karabinier. Motra punon në fushën e informatikës”.

“Në çdo klub ku kam luajtur, gjithmonë jam ndjerë dhe më kanë ndjerë si kapiten, edhe pa shirit në krah. Një vit më parë isha kapiten në tre-katër ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve me Shqipërinë. Ato ishin momente historike për mua dhe për familjen time. Duhet t’i falënderoj të gjithë për këtë besim, por edhe unë kam dhënë gjithçka në fushë. Këto gjëra nuk të jepen thjesht, duhen merituar. Unë jam nga ata që mundohem të ndihmoj, sidomos të rinjtë në dhomën e zhveshjes, sepse kam kaluar edhe vetë vështirësi kur isha fëmijë dhe e di sa e rëndësishme është një dorë ndihme”, deklaroi fillimisht mbrojtësi prishtinas.

Ardian Ismajli

Për Ismajlin synimi ishte gjithnjë i qartë, pra Serie A. Si fëmijë, ai ka dashur të luante vetëm në kampionatin italian, ku shpreson të kalojë edhe shumë vite.

“Siç thashë edhe më parë, Serie A ishte ëndrra ime. Në Kosovë gjithmonë shihnim vetëm Serie A. Na duhej të blinim abonim televiziv vetëm për të parë Serie A. Shikonim edhe Bundesliga ose liga të tjera, por unë i thosha babit: ‘Unë dua vetëm Serinë A’. Dhe gjithmonë besoja se një ditë do të luaja aty. Tani jam këtu, prej 5 vitesh luaj në Serie A dhe tani nis sezoni i 7-të. Shpresoj të luaj edhe për shumë vite të tjera”.

Në fund, Ismajli nënvizoi se nuk e pengon stili i lojës të Torinos dhe iu premtoi tifozëve që do ta jep më të mirën.

"Sa i përket lojës, për mua nuk ka dallim, më pëlqen si në mbrojtje me katër, ashtu edhe me tre. Te Kombëtarja kemi luajtur me tre mbrojtës, ndërsa këtu me trajnerin Baroni luajmë me katër. Nuk është diçka e vështirë për mua".

"Unë jam një luftëtar, nuk dorëzohem kurrë. Edhe kur nuk jam 100%, gjithmonë futem në fushë për të dhënë gjithçka. Këtë gjë e kam treguar shumë herë te Empoli dhe shpresoj ta sjell edhe te Torino, për tifozët e Toros. Me mbështetjen tuaj dhe punën tonë në fushë, shpresojmë të bëjmë shumë gjëra të mira këtë vit", përfundoi ai./Telegrafi/

telegrafi sport app