LAJMI I FUNDIT:

Ismaili hap Konventën e PDK-së me porosinë e Veselit

Ismaili hap Konventën e PDK-së me porosinë e Veselit

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili ka hapur Konventën e dhjetë të partisë, ku pritet të zgjidhet kryetari i ri.

Ismaili nisi fjalimin e tij duke nderuar themeluesit të PDK-së, Hashim Thaçin e ish-kryetarin, Kadri Veseli.


Ai gjatë fjalimit të tij para delegatëve citoi porosinë e ish-kryetarit të partisë, Kadri Veseli që siç tha ai ua ka dhënë gjithmonë.

Konventa e 10-të e PDK-së / Foto: Ridvan Slivova

“Kur ndalet PDK, ndalet Kosova. Ruajeni njëri-tjetrin dhe mos u ndalni. Po e përsëris disa herë sepse kjo porosi është që na e ka dhënë gjithmonë ish-kryetari Kadri Veseli dhe është aq kuptimplotë”, citoi Ismaili ish-kreun e PDK-së, Kadri Veselin.

Ai shtoi se, “PDK-në nuk mund ta gjunjëzojë askush përballë krenarisë për vlerat që i kemi”.

Konventa e 10-të e PDK-së / Foto: Ridvan Slivova

“Dy themeltarët dhe frymëzuesit jo vetëm të PDK-së, por edhe të Kosovës, presin këtë nga ne, ashtu siç do t’i presim edhe ne ata, me punë e përkushtim, të bashkuar. UÇK-ja është prejardhja jonë dhe të gjithë e dinë peshën e saj. Në kohën e një errësire të plotë, UÇK-ja e shihte dritën dhe na tregonte rrugën. PDK-ja si trashëgimtare e saj nuk mund të ishte ndryshe”, u shpreh ai.

Ai u shpreh se, “Për ne qëllimi dhe vlera kanë qenë gjithmonë bashkë dhe sado që e tashmja është e vështirë, PDK-ja e sheh të ardhmen. Një PDK e fortë që rikthehet aty ku e meriton, ku e presin qytetarët, që e lidh Kosovën me një të ardhme më të mirë”. /Telegrafi/