“Aromë e narkotikëve në veturë”, një muaj paraburgim për shtetasin e Shqipërisë që u kap me drogë

“Pas ndaljes së veturës ishte ndier aromë e narkotikëve”, një muaj paraburgim për shtetasin e Shqipërisë që u kap me drogë
Gjykata Themelore e Gjakovës ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehuri G.B për veprën penale, “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ceket se “ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me inicialet G.B., shtetas i Republikës së Shqipërisë, më datë 08.09.2025 rreth orës 17:55, në fshatin Ponoshec, Komuna e Gjakovës, pa autorizim dhe me qëllim të shitjes ka transportuar substanca apo preparate të cilat me ligj janë shpallur si narkotikë, substanca psikotrope ose analoge.
“Patrulla e policisë kufitare nga SPMK-Ponoshec, gjatë patrullimit kanë ndalur veturën me targa ...., të cilin po e drejtonte i pandehuri i cili kishte ardhur nga Republika e Shqipërisë dhe pas ndaljes së automjetit gjatë komunikimit me shoferin është ndier një aromë e dyshuar për narkotik...
Fillimisht është pyetur i pandehuri se a ka diçka ilegale në veturë, i njëjti është përgjigjur se jo, ndërsa gjatë kontrollit të automjetit nën asistimin edhe të zyrtarëve policor të Njësisë K9 brenda në automjet janë gjetur dy qese narkotiku e dyshuar të llojit marihuanë të fshehura në bagazhin e automjetit në peshë prej 1kg e 048 gram dhe një qese e vogël e fshehur nën plastikën e fshesave të automjetit në peshë prej 1.77 gram, sasia e narkotikut, automjeti, 246 Euro dhe 5,000 lekë shqiptare janë sekuestruar nga zyrtarët policor”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake Drilon Haraçia, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehuri në fjalë, ashtu që me gjetjen e mundshme të të pandehuri në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale dhe rreziku i ikjes.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës. /Telegrafi/


















































