Chelsea ka dalë si pretendenti kryesor për transferimin e mesfushorit shumë të vlerësuar të AZ Alkmaar, Kees Smit dhe gjendja aktuale e garës tregon se londinezët janë një hap përpara rivalëve nga Liga Premier.

Talenti 19-vjeçar, i vlerësuar rreth 25 milionë funte, prej kohësh është pikësynim i Newcastle United. Por, mediat angleze bëjnë të ditur se Chelsea tashmë ka zhvilluar kontakte me përfaqësuesit e lojtarit, edhe pse londinezët mund të presin pas janarit për shkak të rinovimit të madh të skuadrës gjatë verës së kaluar.


Nga ana tjetër, Newcastle po mendon një ofertë në mes të sezonit për të forcuar mesfushën, duke pasur frikë se deri në verë Smit mund të bëhet i paarritshëm. Megjithatë, optimizmi në “St James’ Park” është zbehur javët e fundit.

AZ Alkmaar po vlerëson seriozisht mundësinë që t’i shtyjë të gjitha ofertat deri në verë, me synimin për të nxitur një garë të hapur dhe për të përfituar maksimalisht nga interesi i madh për lojtarin.

Smit këtë edicion ka zhvilluar paraqitje të njëpasnjëshme pozitive, ndërsa shkëlqeu edhe në fitoren e të enjtes mbrëma në kuadër të Ligës së Konferencës kundër Dritës./Telegrafi

telegrafi sport app