Ish-ylli i Chelseat vendos të pensionohet nga futbolli shkaku i problemeve me zemër

Sipas mediumit brazilian Globo, ish-mesfushori i Chelseat, Oscar, ka vendosur të tërhiqet nga futbolli për shkak të një problemi mjekësor të identifikuar muajin e kaluar.
34-vjeçari u rrëzua gjatë një seance stërvitore me Sao Paulon, dhe më pas iu diagnostikua një problem kardiak i quajtur sinkopa vazovagale.
Kjo është një humbje e përkohshme e vetëdijes e shkaktuar nga një rënie e presionit të gjakut dhe e rrahjeve të zemrës. Me fjalë të tjera, të fikët.
Kjo gjendje nuk konsiderohet kërcënuese për jetën kur menaxhohet siç duhet, por mund të përbëjë pengesë për një karrierë futbolli.
Oscar tashmë e ka njoftuar klubin e tij për vendimin, në mënyrë që ata të mund të planifikojnë sezonin e ardhshëm pa të.

Njoftimi zyrtar pritet të bëhet në ditët e ardhshme.
Oscar kaloi katër vjet e gjysmë te Chelsea, ku shënoi 38 gola në 203 ndeshje dhe fitoi dy tituj të Ligës Premier, para se të transferohej për një kontratë të majme në Kinë në janar të vitit 2017./Telegrafi/



















































