Ish-polici Nexhat Pireva arrestohet nga autoritetet serbe te Dheu i Bardhë dhe më pas lirohet

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka konfirmuar se në orët e para të mëngjesit të sotëm, Nexhat Pireva, ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe shtetas i Republikës së Kosovës nga Kamenica, është arrestuar nga autoritetet serbe në pikën kufitare të Dheut të Bardhë.
Ai po udhëtonte drejt Bujanocit së bashku me bashkëshorten dhe fëmijët e tyre.
Pas marrjes në pyetje për rreth katër orë, Pireva është liruar.
“MPJD dënon veprimet e vazhdueshme të autoriteteve serbe, të cilat përbëjnë keqtrajtim të shtetasve të Republikës së Kosovës dhe janë në kundërshtim me marrëveshjet e nënshkruara mes dy shteteve”, thuhet në reagim.
Ministria gjithashtu u bën thirrje qytetarëve të Kosovës që të shmangin kalimin përmes Serbisë.
“MPJD u bën thirrje qytetarëve të Republikës së Kosovës që të shmangin kalimin përmes territorit të Serbisë deri në informacione të mëtejshme, për të siguruar mbrojtjen e tyre”, thuhet tutje në reagim. /Telegrafi/









































