Ish-mesfushori i Barcelonës pensionohet nga futbolli – synon të nis një karrierë si agjent

Ish-mesfushori i Barcelonës, Miralem Pjanic, raportohet se ka vendosur t’i japë fund karrierës së tij si futbollist në moshën 35-vjeçare, pak pasi u hodhën poshtë zërat për një rikthim të mundshëm te Juventusi.
Sipas raportimeve nga Tuttomercatoweb, Pjanic ka vendosur të tërhiqet nga futbolli dhe aktualisht është duke studiuar mundësitë për t’u bërë agjent.
Ish-reprezentuesi i Bosnjës ende nuk ka komentuar publikisht në lidhje me pensionimin.
Pjanic ka qenë pa klub që nga fundi i sezonit 2024/2025, pas një periudhe njëvjeçare në Rusi me CSKA Moskën.
Së fundmi kishte thashetheme se ai po përgatitej të rikthehej te Juventus në një rol të caktuar, pasi disa fotografi të tij në qendrën stërvitore të klubit u shfaqën në rrjetet sociale.

Megjithatë, siç shpjegoi eksperti i Football Italia, Alfredo Pedulla, vizita e tij kishte qenë vetëm për t’u takuar me miq dhe ish-kolegë.
Gjatë karrierës së tij, Pjanic zhvilloi 780 ndeshje zyrtare për klub dhe kombëtare, përfshirë 665 paraqitje në nivel klubesh dhe 115 ndeshje me përfaqësuesen e Bosnjës.
Vitet më të mira të karrierës i kaloi në Serie A: pesë sezone me Romën nga 2011 deri në 2016, ku regjistroi 185 paraqitje dhe shënoi 30 gola, si dhe katër vite të tjera me Juventusin deri në vitin 2020, me 178 ndeshje në të gjitha garat dhe 22 gola të realizuar./Telegrafi/




















































