Ish-diplomati amerikan Jonathan Moore: Kurti punoi kundër interesave të SHBA-së dhe të vetvetes

Ish-diplomati amerikan Jonathan Moore, ka shpalosur qëndrimet rreth zhvillimeve të fundit në raportet Kosovë-SHBA pasi kjo e fundit ka pezulluar dialogun strategjik.
Moore ka deklaruar se nuk ka pasur progres në Kosovë viteve të fundit, por është shënuar kthim prapa.
Si pasojë e kësaj, sipas Moore kanë ardhur qëndrimet e forta të Qeverisë Amerikane, për të pezulluar dialogun strategjik me Kosovën.
E thotë troç se fajtor për këtë është kryeministri në detyrë Albin Kurti, i cili sipas diplomatit Moore ka punuar kundër interesave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Do të jem shumë direkt dhe sërish po flas vetëm në emrin tim, ky pezullim i dialogut strategjik lidhet me faktin se Albin Kurti si kryeministër në kapacitetin teknik ka punuar kundër interesave jo vetëm të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkësisë Ndërkombëtare por edhe të vetvetes. Pra mund të thuhet se Albin Kurti ka punuar kundër interesave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe qeverisë së vet. Jam i detyruar ta nxjerrë këtë përfundim, kur shikoj punën që është bërë gjatë muajve të kaluar me administratën e Donald Trumpit apo edhe më parë në administratën e Joe Biden”, tha Moore në Rubikon të KlanKosova.
Moore, po ashtu ka përmendur edhe përpjekjet e ish-ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier për të sjellë progres.
“Ish ambasadori shumë i aftë këtu Jeff Hovenier, shumë mik i mirë i imi që doli në pension në janar në fund të mandatit të tij, që kishte punuar shumë për të sjellë ndryshimin, për të sjellë progres, për të sjellë dialogun madje edhe me qeverinë e Kurtit e të mos përmend edhe progresin e bërë në dialogun me Beogradin që është projekt tash e shumë vite edhe me Bashkimin Evropian. Është po thuajse e pamundur të tregohen shenja progresi në Kosovë. Kur populli i Kosovës që ka luftuar për sovranitet, demokraci, pavarësi dhe e fitoi atë dhe që ka pasur njohje ndërkombëtare që nga viti 2008, kuptohet që SHBA kanë luajtur rol të rëndësishëm në këtë proces, nuk po bëhet kurrfarë progresi për dialogun që do ta afronte Kosovën me Bashkimit Evropian dhe NATO-s, për njohje më të mëdha ndërkombëtare”, deklaroi Moore.
Edhe ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se deklaratat e Kurtit kundër Gjykatës Kushtetuese çuan në pezullimin e Dialogut Strategjik.
Ai shpjegon se pezullimi i Dialogut Strategjik nga Shtetet e Bashkuara është pasojë e një grumbullimi frustrimesh ndaj Qeverisë së kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, ku veçanërisht ndikoi kritika e tij ndaj Gjykatës Kushtetuese.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hovenier thotë se pezullimi duhet marrë seriozisht dhe e cilëson si një “humbje të madhe mundësie” për forcimin e partneritetit mes Kosovës dhe SHBA-së.
Më 12 shtator, SHBA-ja pezulloi Dialogun Strategjik me Kosovën, duke arsyetuar vendimin me veprimet e Qeverisë në detyrë dhe me rritjen e tensioneve dhe paqëndrueshmërisë në vend.
Kush është Jonathan Moore
Jonathan Moore është anëtar i Shërbimit të Lartë të Jashtëm me gradën Ministër-Këshilltar dhe u emërua nga Sekretari Blinken si Koordinator i Task Forcës së Reagimit ndaj Incidenteve Shëndetësore në nëntor 2021.
Në detyrën e tij të mëparshme, Ambasadori Moore shërbeu si Ndihmës Sekretar në Detyrë, Zyrtar i Lartë i Byrosë dhe Zëvendës Ndihmës Sekretar Kryesor në Byronë e Oqeaneve dhe Çështjeve Ndërkombëtare Mjedisore dhe Shkencore. Ai ishte Zëvendës Ndihmës Sekretar Kryesor dhe Ndihmës Sekretar në Detyrë për Çështjet e Organizatave Ndërkombëtare, ku mbikëqyri politikat në lidhje me Kombet e Bashkuara dhe agjencitë e OKB-së, midis nëntorit 2018 dhe marsit 2020.
Jashtë vendit, ai shërbeu si Ambasador dhe Shef i Misionit në Bosnje dhe Hercegovinë për Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë. Ambasadori Moore ka shërbyer gjithashtu si i Ngarkuar me Punë në Ambasadën e SHBA-së në Bjellorusi dhe si Zëvendës Shef i Misionit në ambasadat e SHBA-së në Namibi, Bjellorusi dhe Bosnje dhe Hercegovinë.
Në Departamentin e Shtetit, ai ka qenë Drejtor i Zyrës së Çështjeve të Evropës Jug-Qendrore, si dhe Zëvendës dhe Drejtor në Detyrë i Zyrës së Çështjeve Ruse. Përveç detyrave të tij diplomatike, Ambasadori Moore ka kryer studime në Zyrën e Politikave të Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së dhe në Institutin Hoover të Universitetit Stanford.
Ai ka marrë Çmimin e Nderit të Shquar të Departamentit të Shtetit, Çmimet e Nderit Superior dhe të Merituar, Çmimin Sinclaire për aftësi gjuhësore dhe është dekoruar nga presidentët e Shqipërisë dhe Lituanisë. I diplomuar në Shkollën e Shërbimit Ndërkombëtar të Universitetit Amerikan me një diplomë masteri nga Shkolla Elliott e Çështjeve Ndërkombëtare të Universitetit George Washington, Ambasadori Moore flet boshnjakisht, serbisht, kroatisht dhe lituanisht, dhe është njohës i mirë i gjuhës daneze, gjermanisht dhe rusisht.


















































