LAJMI I FUNDIT:

Irani i ka duart e lidhura

Irani i ka duart e lidhura

Burimi: The Guardian (titulli origjinal: Iran seems like it’s in escalation mode – but all-out war with Israel is the last thing it wants)
Përkthimi: Telegrafi.com

Konfrontimi hakmarrës midis Izraelit dhe Iranit ka ngjallur shqetësimet në lidhje me përshkallëzimin që Lindjen e Mesme e mbërthen në një luftë gjithëpërfshirëse. Skenari i tillë është i pamundur, sepse as Izraeli dhe as Irani nuk përfitojnë nga konflikti i plotë. Por, derisa vërehet guximi i Izraelit, Irani është në mbrojtje.


Interesi kryesor i Iranit është vetëmbrojtja. Dëshiron të mbrojë objektet bërthamore brenda Iranit dhe asetet e veta në Lindjen e Mesme – kryesisht grupet e armatosura që mbështet, ku më me vlerë është Hezbollahu. Udhëheqja e Iranit vazhdon të pretendojë se as nuk e drejtoi dhe as nuk ishte i informuar për sulmin e Hamasit kundër Izraelit më 7 tetor – sepse nuk do që Izraeli dhe aleatët e tij ta shënjestrojnë ose të hakmerren në mënyrën që gërryen ndikimin e Iranit në rajon.

Pavarësisht nga natyra e përfshirjes së Iranit në sulmin e paprecedentë të Hamasit, vendi është mbështetësi kryesor financiar dhe ushtarak i Hamasit dhe mban pjesë të përgjegjësisë për veprimet e Hamasit. Irani është gjithashtu sponsor i disa organizatave të milicisë që veprojnë në të gjithë Lindjen e Mesme, përfshirë Lëvizjen Huti në Jemen, Hezbollahun në Liban dhe një mori grupesh të armatosura në Siri dhe në Irak. Pas 7 tetorit – dhe me bekimin e Iranit – ata përfaqësues në mënyrë aktive janë përfshirë në aktivitetet ushtarake anti-Izrael.

Asnjë nga ata përfaqësues të tjerë nuk ka dislokuar burime të mëdha në luftën e vazhdueshme me Izraelin; të gjithë e kufizuan përfshirjen. Bashkë me retorikën e vazhdueshme të Iranit që të distancohet nga përgjegjësia për ngjarjet e 7 tetorit, fusha e ngushtë e veprimit nga ato grupe – të mbështetura nga Irani – tregon se Irani është në pozicion mbrojtës dhe jo sulmues. Gjithnjë e më shumë po kupton se sa i ndjeshëm është regjimi ndaj sulmit kërcënues nga Izraeli, në një kohë kur nuk e ka kapacitetin për t’u përfshirë në luftë të gjithanshme.

Derisa Izraeli është i përfshirë në një sulm në shkallë të plotë kundër Hamasit – duke shkaktuar shkatërrime të mëdha në Gazë – përmes hakmarrjes strategjike ai reagon ndaj sulmeve të përfaqësuesve të tjerë të Iranit. Sulmet e tij kanë shënjestruar dhe vrarë në mënyrë specifike pothuajse 300 luftëtarë të Hezbollahut. Në Siri, Izraeli ka sulmuar depot e armëve dhe bazat ushtarake të grupeve të mbështetura nga Irani. Dëmi i shkaktuar nga Izraeli, në ato sulme, e tejkalon shumë herë koston të cilën përfaqësuesit e mbështetur nga Irani ia shkaktuan Izraelit.

Kjo kundërpërgjigje strategjike tregon se Izraeli nuk ka nevojë të përdor forcën e gjithanshme për të tentuar dobësimin e grupeve të mbështetura nga Irani në vendet si Siria dhe Libani. Në Liban, Izraeli ia doli të godasë komandantët e Hezbollahut teksa udhëtonin me vetura dhe gjatë takimeve të tyre nëpër shtëpitë e fshatrave. Duke treguar se ka njohuri për objektivat e lidhura me Iranin dhe se i ka mjetet për të arritur te kjo, Izraeli ia dërgon një mesazh të fuqishëm Iranit për ekspozimin ndaj inteligjencës dhe mbikëqyrjes izraelite. Kjo ndjeshëm kufizon shkallën në të cilën Irani do të jetë i gatshëm të përshkallëzojë përfshirjen e vet në luftën kundër Izraelit.

Dobësia e Iranit u theksua më tej pasi aleatët e Izraelit, përfshirë ShBA-në dhe Britaninë e Madhe, morën pjesë në operacionin e mbrojtjes ndaj sulmit me predha të Iranit kundër Izraelit më 13 prill. Derisa Izraeli mund të mburret se ka mbështetje të tillë të hekurt të jashtme, Irani dhe përfaqësuesit e tij në thelb janë të vetëm.

Teherani dhe përfaqësuesit e tij janë të prirë për ta shpëtuar fytyrën. Pas 7 tetorit, Irani nxiti përfaqësuesit e vet për të vepruar, sepse mbështetësit dhe kundërshtarët e tyre prisnin që ata të bënin diçka pas lëvizjes kaq dramatike të Hamasit. Ata mund ta kishin rritur presionin ndaj Izraelit, përmes veprimeve të rëndësishme kolektive, por Irani nuk kërkoi ta ndiqnin këtë rrugë. Motivi kryesor i Iranit, pas përfshirjes së tyre, është ta paraqesë një imazh të vetes si lider të të ashtuquajturit “bosht rezistence” kundrejt Izraelit, ShBA-së dhe aleatëve të tyre.

Shpëtimi i fytyrës është gjithashtu arsyeja se pse Irani zgjodhi të sulmojë Izraelin me dronë dhe raketa më 13 prill – si hakmarrje për sulmin e Izraelit në Damask më 1 prill, i cili cak kishte një aneks të konsullatës iraniane, ku të paktën u vranë shtatë komandantë dhe zyrtarë të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC). Irani nuk u përfshi në hakmarrje të nivelit të lartë kur ShBA-ja vrau komandantin e IRGC-së, Qassem Soleimani – në Irak, në vitin 2020; Irani atëherë dëshmoi se është duke u përshtatur me durimin strategjik, në përcaktimin se si dhe kur do të përgjigjet. Sulmi i 1 prillit i Izraelit ishte provokimi më i madh i Iranit që nga vrasja e Soleimanit, ndërsa kishte për qëllim presionin e mëtejshëm ndaj Iranit, duke e ditur se Irani nuk mund ta përdor sërish durimin strategjik si justifikim për të mos reaguar.

Duke i njohur kufizimet e veta, hakmarrja e Iranit më 13 prill shërbeu për t’i treguar Izraelit se çfarë mund të bëjë Irani, por pa i bërë shumë presion Izraelit. Deklarata e Shtëpisë së Bardhë për sulmin e Iranit të 13 prillit, nuk e përfshiu Libanin në listën e vendeve ku grupet e mbështetura nga Irani morën pjesë në sulm (vetëm Iraku, Siria dhe Jemeni u përmendën krahas Iranit). Irani e dinte se përfshirja e Hezbollahut në atë episod të veçantë do të nxiste përshkallëzimin të cilin dëshiron ta shmang dhe të mos e rrezikojë asetin më të rëndësishëm rajonal.

Nënvlerësimi i Iranit për sulmin e mëvonshëm në Isfahan më 19 prill, i cili gjerësisht i atribuohet Izraelit, është në përputhje me dëshirën e tij për të kufizuar konfrontimin e drejtpërdrejtë me Izraelin. Irani e di se në shënjestrimin e Isfahanit, pranë objekteve bërthamore, Izraeli e dërgoi mesazhin se çfarë mund të bëjë Izraeli dhe se deri ku mund të arrijë.

Është miopi të vlerësohet pozicioni i Iranit kryesisht përmes prizmit të ciklit të hakmarrjeve të prillit 2024. Pamja e madhe tregon se duart e Iranit janë të lidhura. Izraeli do të vazhdojë të përfitojë nga kjo dobësi për ta vënë edhe më tej Iranin në siklet, si dhe të përpiqet të gjymtojë gradualisht përfaqësuesit e tij. /Telegrafi/