LAJMI I FUNDIT:

Inventar Covid-19

Inventar Covid-19

Maska, maska, maska pa mbarim! Të të gjitha ngjyrave: Nga e bardha tek e zeza dhe, anasjelltas, nga e zeza tek e bardha! Madje edhe maska patriotike, d.m.th. kuqezi! Çuditërisht, për zhgënjimin e maskave blu apo edhe të kaltra, thuajse asnjë maskë mavi! Çuditërisht, edhe kryetari i Partisë Socialiste, asnjëherë – deri tani të të paktën – nuk është parë të mbajë një maskë, qoftë edhe pa ngjyrën e Rilindjes së tij mjerane, as rrugëve, i shoqëruar nga gorillat e tij (kështu i quajnë francezët truprojat e personaliteteve shtetërore), as në Kuvend gjatë seancave plenare; gjithsesi, do të kishte qenë kulmi sikur, sa për antikonformizëm, t’i ketë mbajtur e të ketë vazhduar t’i mbajë vetëm në bunkerin e tij madhështor të Surrelit!

Njëkohësisht, maska, maska, maska pa mbarim, veçse të një lloji tjetër, nga ato që politikanët tanë, sidomos ata që gjenden në majë të pushtetit, përdorin me mjeshtëri të përsosur për t’i hedhur hi syve popullit tonë të dëshpëruar, të zhgënjyer e të çoroditur prej tridhjetë vjetësh demokracie sa për sy e faqe, prapa së cilës fshihen korrupsioni, trafiqet e pista dhe allishverishet mafioze!


Grushte, grushte, grushte pa mbarim që, për të mirën e përbashkët, kanë zëvendësuar dhënien e dorën kur takojmë dikë! Gjithashtu, bërryla, bërryla, bërryla pa mbarim që kanë të njëjtën simbolikë, por që të kujtojnë shprehjen e frikshme “ia fus dikujt sa krahu me gjithë bërryl e shpatull”.

Policë, policë, policë pa mbarim shesheve, rrugëve dhe kryqëzimeve të tyre, të cilët janë përpjekur t’i mbronin nga vetvetja qytetarët e pandërgjegjshëm apo të papërgjegjshëm përballë rrezikut vdekjeprurës të kovid-19-s!

Nga ana tjetër, forca, forca, forca lëvizëse operacionale për të siguruar shkatërrimin e turpshëm të Teatrit Kombëtar me sukses të plotë e në mënyrë të lavdishme (me “d” sigurisht, aspak me ndonjë germë tjetër në vend të saj)!

Falimentime, falimentime, falimentime pa mbarim të bizneseve të vogla shoqëruar me varfërim e dëshpërim të të punësuarve dhe të familjeve të tyre!

Premtime, premtime, premtime të pambajtura nga qeveria dhe zhgënjime, zhgënjime, zhgënjime të qytetarëve shpirtërisht të dërrmuar!

Manovra, manovra, manovra të dukshme, por edhe të nëndheshme, të të dyja poleve politike sipas udhëzimeve të ndërkombëtarëve dhe nën vëzhgimin e tyre të pandërprerë!

Sidoqoftë, për ta zbutur sadopak pikëllimin e thellë të gjendjes tragjikomike ku ndodhemi e do të ndodhemi shqiptarisht ndoshta edhe për plot dekada të tjera, dëshiroj t’i vë në dijeni lexueset e lexuesit e kësaj rubrike të përjavshme se ish-komshiu dhe miku im Aqif Qifa, i cili të tre fëmijët i ka farmacistë, më dha një lajm të çuditshëm, por megjithatë zbavitës: Në shumë farmaci të kryeqytetit, por edhe të disa prej qyteteve kryesore të vendit, gjatë këtyre muajve nën shenjën e kovid-19-s qenka shtuar numri i klientëve që blejnë prezervativa; me sa duket, në pavetëdijen e tyre kolektive, përdorimi i maskave antikovid-19 paska krijuar, për analogji, një lidhje midis këtyre maskave dhe prezervativave, falë gjithashtu talamusit dhe hipotalamusit, këtyre dy zonave të trurit të njeriut me ndikim tek sistemi hormonal dhe, si pasojë, tek seksualiteti i tij. Në këtë kuadër, po e plotësoj dhe, njëkohësisht, po e përfundoj inventarin tim të periudhës kovid-19 si më poshtë:

Prezervativa, prezervativa, prezervativa pa mbarim! Të të gjitha ngjyrave! Nga e bardha tek e zeza dhe, anasjelltas, nga e zeza tek e bardha! Madje edhe prezervativa patriotikë, d.m.th. kuqezi! Madje edhe prezervativa socialistë, pra mavi! Të të gjitha shijeve gjithashtu: banane, karotë, kastravec e sidomos patëllxhan (i vetmi zarzavat herë pas here mavi si ngjyra e Rilindjes mjerane të përmendur në krye të këtij inventari).

Me këtë rast, pa dashur t’i bëj publicitet njërës prej novelave të librit tim “Kujtimet e një karrigeje” (botimet Pegi, Tiranë, 2019), po marr guximin e ndershëm t’u tregoj krejt përmbledhtas lexueseve dhe lexuesve të mi, që ende e kanë ndjenjën e humorit, barsoletën nga e cila jam frymëzuar për novelën në fjalë: Një burrë i ri hyn në një farmaci dhe e pyet farmacisten e moshuar nëse kanë prezervativa të zinj. Kjo e fundit, nga kureshtja, e pyet klientin: “Kemi, po përse pikërisht të zinj?”. Përgjigjja që mori qe kjo: “Sepse të dashurës sime i ka vdekur i shoqi dhe ajo po mban zi, kështu që mua më duhet t’i shkoj sonte për ta ngushëlluar!”