eksperti ad

Pak minuta më parë ka përfunduar procesi i intervistimit të pesë kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit.

Atdhe Dema, Naim Abazi, Rafet Halimi, Shqipdon Fazliu dhe Zejnullah Gashi kane qenë në renditje për t’u intervistuar duke filluar nga ora 11:00 e deri në 15:45.


Sipas rezultateve të intervistimin, kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi, ka dalë me më së shumti pikë (91.6).

Ndërsa Atdhe Dema është vlerësuar me 89.3 pikë, Naim Abazi 89 pikë, Rafet Halimi 87 pikë dhe Shqipdon Fazliu 86.3 pikë.

Bazuar në këtë rezultat, të pesë kandidatët propozohen për votim në Këshill.

Dita e sotme për tre anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) ka filluar në ora 8:00 të mëngjesit, kur janë mbledhur që t’i përpilojnë pyetjet që më vonë do t’u parashtroheshin kandidatëve.

Komisoni i cili u ka parashtruar pyetjet kandidatëve ështe përbërë nga kryesuesi i KPK-së, Arian Gashi, Elza Bajrami dhe Visar Kransiqi – anëtarë.

Intervistimi për secilin kandidat ka zgjatur nga 45-60 minuta.

Secili nga kandidatët ështe përgjigjur në nga tri pyetjet në temat si: 1. Koncept-dokumenti, 2. integriteti i kandidatit, 3. Aftësi udhëheqëse dhe menaxheriale 4. Njohuri profesionale dhe teknike.

I tërë procesi që nga mëngjesi është monitoruar nga pjesëtarë vendor e ndërkombëtarë të shoqërisë civile, të cilët që nga momenti para se të përpiloheshin pyetjet e deri kur ka përfunduar intervistimi i kandidatit të fundit nuk kanë pasur qasje në pajisje tekonologjke dhe nuk kanë pasur mundësi që të dalin jashtë sallës.