Interi është i gatshëm të shqyrtojë shitjen e mbrojtësit Alessandro Bastoni gjatë afatit kalimtar veror, ndërsa interesimi nga Barcelona po bëhet gjithnjë e më konkret.

Sipas raportimit të La Gazzetta dello Sport, agjenti i lojtarit, Tullio Tinti, ka vizituar së fundmi zyrat e klubit zikaltër për të diskutuar të ardhmen e klientit të tij dhe mundësinë e një transferimi.


Klubi italian raportohet se i ka vendosur një çmim të lartë kartonit të 26-vjeçarit, në vlerë prej 70 deri në 80 milionë euro.

Kjo shifër mund të paraqesë pengesë për klubin katalanas, duke marrë parasysh pasiguritë që lidhen me rregullat e Fair Play-it Financiar (FFP).

Megjithatë, Barcelona po shqyrton mundësinë e përfshirjes së lojtarëve në marrëveshje për të ulur koston totale të transferimit.

Bastoni shihet si objektivi kryesor i Barcelonës për përforcimin e repartit defensiv.

Nga ana tjetër, edhe vetë lojtari është në dijeni të interesimit të vazhdueshëm nga klubi spanjoll dhe e konsideron një kalim në “Camp Nou” si hapin ideal të radhës në karrierën e tij. /Telegrafi/

telegrafi sport app