Interi e konsideron Pio Espositon të pashitshëm, refuzon 45 milionë nga Napoli

Napoli ka bërë një përpjekje serioze për të transferuar Francesco Pio Espositon, sulmuesin e talentuar italian që shihet si një nga yjet më premtues të futbollit të ri.
20-vjeçari vjen pas një sezoni të shkëlqyer me Spezian, ku realizoi 20 gola në Serie B dhe ishte shumë pranë ngjitjes në elitën e futbollit italian.
Presidenti Aurelio De Laurentiis dhe drejtori sportiv Giovanni Manna kanë paraqitur një ofertë të majme prej 45 milionë euro në drejtim të Interit, por sipas TuttoMercatoWeb zikaltërit e refuzuan menjëherë, duke e bërë të qartë qëndrimin e tyre: Pio Esposito është i pashitshëm.
Vendimi i Interit nuk është i rastësishëm. Klubi dëshiron ta mbajë produktin e vet të akademisë dhe ta bëjë pjesë të projektit afatgjatë, pavarësisht ofertave të majme që mund të vijnë nga klubet e tjera.
Mesazhi i Interit është i qartë: për asnjë shumë Pio Esposito nuk do të largohet këtë verë.
Kësisoj, Napoli duhet të shohë alternativa të tjera në tregun e transferimeve për të gjetur pasuesin e Romelu Lukakut, i cili ka pësuar një dëmtim në kofshë dhe do të mungojë për një periudhë të gjatë. /Telegrafi/





















































