LAJMI I FUNDIT:

Interesim i ulët për kontrollimin e Listës Zgjedhore në Maqedoni

Interesim i ulët për kontrollimin e Listës Zgjedhore në Maqedoni

Deri tani, pak qytetarë të moshës madhore kanë treguar interesim për verifikimin e të dhënave të tyre në listën zgjedhore. Deri një ditë më parë , gjithsej 11.788 persona u kontrolluan në listën e zgjedhësve, u paraqitën gjithsej 46 kërkesa për regjistrim në listën e votuesve, 28 kërkesa për fshirjen e të dhënave nga lista e votuesve dhe 22 kërkesa për ndryshimin e të dhënave në listën e zgjedhësve.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve informon se procedura për shqyrtimin publik të Listës zgjedhore do të zgjasë deri më 9 shtator 2021. Gjithashtu, gjithsej 36 kërkesa janë dorëzuar në Komisionin Shtetëror Zgjedhor në adresën elektronike.

Nga data 14 deri 19 shtator, listën zgjedhore do ta shqyrtojnë edhe partitë politike të cilat mund të dorëzojnë kërkesë për regjistrimin, plotësimin ose fshirjen e të dhënave. Lista zgjedhore përfundimtare me të cilën do të votohet në zgjedhje do të mbyllet më 24 shtator dhe një javë më vonë do të nënshkruhet, në përputhje me Kodin zgjedhor.


Në ndërkohë, pas shqyrtimit publik, Ministria e Brendshme i dërgon KSHZ-së të dhënat për qytetarët që kanë aplikuar ose kanë marrë dokumente të reja identifikimi dhe për qytetarët që mbushin 18 vjeç deri në ditën e zgjedhjeve që edhe ata të kenë mundësi të votojnë më 17 tetor.

Më 23 shtator do të mbahet shorti për radhitjen e partive politike në fletëvotim.

Fushata zgjedhore zyrtarisht fillon më 27 shtator kurse më 16 tetor do të votojnë të sëmurët, të pafuqishmit dhe të burgosurit.