LAJMI I FUNDIT:

Interesim i madh për pikturat e Edi Hilës

Interesim i madh për pikturat e Edi Hilës

Ekspozita “Piktori i Transformimit”, e piktorit Edi Hila në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, ka mirëpritur mbi 5,000 vizitorë .

Transformimi shoqëror përcillet nga piktori me disa cikle ku për t’u veçuar janë tablotë “Paradoksi”, “Marrëdhëniet”, “Kërcënimi”, “Objekte anash rrugës” deri tek krijimet më të fundit “Bulevardi i Dëshmorëve të Kombit”, “Një tendë në çatinë e makinës sime”.


Hila eksploron për të transmetuar të vërtetën psikologjike të fenomeneve. Ky distilim të vërtetash e ka shtyrë artistin drejt klasicizmit dhe magjepsjes prej burimeve të pikturës së Rilindjes.

Nëpërmjet ekspozitës retrospektive me titullin “Piktori i transformimit” shfaqet Shqipëria siç ishte dhe Shqipëria që pak ndryshoi. “Piktori i Transformimit” është një projekt i përbashkët i Galerisë Kombëtare të Arteve, Muzeut të Artit Modern të Varshavës dhe Koleksionit Kontakt në Vjenë.

Ekspozita do të vazhdojë të mirëpres artdashës deri më 29 korrik 2018. /ATA/