Leila Tequila është vajzë e lindur në një familje konservatore në Turqinë lindore, e cila arrin të shpëtojë nga të afërmit e saj, për të humbur në lagjet e prostitucionit në Stamboll: dhe, ajo është protagonistja e librit të ri nga Elif Shafak, “10 minutat e 38 sekondat e mia të fundit në këtë botë të çuditshme” – një roman kushtuar grave në Stamboll, i cili gërsheton kontrastet e Turqisë bashkëkohore me temat e pabarazisë gjinore dhe dhunës seksuale, por që i ka kushtuar autores një vërshim abuzimesh në internet nga trolle dhe llogari automatike prapa të cilave mund të shihet dora e regjimit të Recep Tayyip Erdoganit.
“Ky nivel histerie është i ri”, thotë Elif Shafak, shkrimtarja turke që fitoi famë botërore me “Bastarden e Stambollit” dhe që jeton në Londër prej 15 vjetësh, ku mori nënshtetësinë britanike. “Është një ndërthurje e ligjeve antidemokratike dhe anës së errët të mediave sociale. Ajo që shkrimtarët si unë vuajnë sot është një linçim shoqëror”.
Por, kjo nuk është e gjitha. Sepse, magjistratura turke ka vendosur që të hetojë romanet e saj të mëparshme, të dyshuar për imoralitet dhe paturpësi meqë flasin për dhunën ndaj grave: “Në Turqi”, komenton shkrimtarja, “kemi një nivel alarmant abuzimesh seksuale dhe dhune gjinore. Qeveria autoritare e Erdoganit sapo ka miratuar një ligj të ri, i quajtur ‘martesa myfti’, që e bën më të kollajtë për familjet që të japin nuse vajzat e reja në ceremoni islamike. Në vend të ndryshojnë ligjet patriarkale, vënë në shënjestër shkrimtarët që guxojnë të flasin për këto tema. Është e trishtë”.
Cila duhet të jetë qasja e intelektualëve përballë këtyre sulmeve?
Ne të gjithë duhet të angazhohemi në hapësirën publike dhe civile, të angazhohemi në politikë. Është indiferenca që lejon të ndodhin gjëra të këqija: shkrimtarët duhet të ngrenë zërin.
Në fakt në këto vite ju jeni bërë një zë i fortë në debatin jo vetëm për Turqinë, por për tërë Evropën dhe të ardhmen e demokracive.
Po, sepse edhe në Evropë kemi arritur në një pikë ku nuk mund të heshtim më. Unë e di, nga ajo që ndodhi në Turqi, se demokracia mund të vdesë: dhe këtu ne përballemi me një rrezik të madh autoritar. Më parë mendohej se vendet perëndimore ishin imune, por askush nuk është imun. Jemi përballë një lufte kulturore dhe përgjigja duhet të vijë nga kultura, e cila na kujton humanitetin tonë të përbashkët dhe na lidh me njëri-tjetrin. Sepse ne e dimë se çfarë ndodh kur humbasim empatinë dhe të tjerët, për shembull emigrantët, bëhen thjesht numra.
E keni fjalën për përparimin e të djathtave populiste në Evropë dhe retorikës së tyre ksenofobe?
Po, sepse ato tashmë kanë një ndikim, po dëmtojnë besimin në demokracinë parlamentare, në institucione dhe në media. Dhe unë nga shembulli i vendit tim e di se nëse humbet median, nëse i dorëzohesh retorikës sipas të cilës të gjithë gënjejnë, atëherë humbet edhe demokracinë.
Megjithatë, qëllimi kryesor i populistëve duket se është ta vënë Evropën nën kontroll.
Dhe ata tashmë po dëmtojnë idenë e Evropës si një entitet i bazuar në diversitet. Kjo është edhe arsyeja pse e vendosën gjithë atë theks në familjet tradicionale: shiko për shembull festivalin që u organizua kohët e fundit në Itali.
Në çfarë kuptimi?
Në kuptimin që ata janë të shqetësuar për uljen e popullsisë, gjë e cila do të sillte nevojën për më shumë emigrantë. Por, ata nuk duan dhe pastaj përgjigjen duke stimuluar lindjet. Që do të thotë të shtyjnë gratë që të jenë thjesht në rolin e nënave dhe asgjë tjetër. Edhe një herë beteja zhvillohet mbi gratë.
Po cila është mënyra më e mirë për të përballuar këtë sfidë?
Populistët ofrojnë përgjigje të gabuara për problemet reale: dhe nëse nuk japim përgjigje, do të shohim një rritje të mëtejshme të atyre lëvizjeve. Ne nuk mund të mashtrohemi kollaj, sepse një krizë e re ekonomike ose financiare do t’i rikthente ato me forcë edhe më të madhe. Ne duhet të të bëjmë një dallim midis populistëve dhe njerëzve, por pa i ndjekur ata në terrenin e tyre. Në të vërtetë, ne duhet të jemi në gjendje të zhdukim helmin nga gjuha e tyre. Dhe ne kemi nevojë për një inteligjencë të re emocionale. Populistët përdorin emocione shumë më mirë sesa liberalët: por nëse faktet janë të rëndësishme, të tilla do të jenë edhe emocionet.
Një kundër-lëvizje mund të shihet në suksesin e të Gjelbërve në të gjithë Evropën, në zgjedhjet e fundit, këtu në Britaninë e Madhe por mbi të gjitha në Gjermani dhe gjithashtu në Francë.
Po, është inkurajuese, po lind një narrativë e re progresiste. Sepse e majta e vjetër nuk ka më përgjigje për të dhënë.
Dhe në fakt këtu në Britaninë e Madhe, laburistët janë në krizë, por shumica duket se joshen nga sirenat nacional-populiste të Farage.
Është e vërtetë, kur mbërrita në Britaninë e Madhe kishte një vend plot besim, ndërsa sot ne jemi në një situatë të re. Dhe ajo që po vjen me Brexit-in është një zhgënjim që ka zier nën sipërfaqe, për një kohë të gjatë: Farage shfrytëzon këtë klimë, por nuk është një fenomen kalimtar dhe nuk duhet të nënvlerësohet. Edhe për Trumpin, në fillim ata menduan se ai ishte thjesht një klloun…
Një tjetër shënjestër e populistëve të krahut të djathtë është Islami. Ju nuk jeni besimtare, por jeni rritur në kulturën myslimane: si e gjykoni rritjen e islamofobisë?
Thjeshtë përplasja e dy ekstremizmave: nga njëra anë racistët dhe islamofobët, nga ana tjetër fundamentalistët myslimanë që përhapin dhunën. Ajo që na duhet janë zërat myslimanë përparimtarë.
Ka nga ata që thonë se një tani po lind islam evropian, i integruar në vlerat perëndimore.
Unë ende nuk shoh një islam evropian, por padyshim që ka një lëvizje progresive brenda tij. Frika ime është se ekstremi i njërit thërret të kundërtën: dhe kështu ata ushqejnë njëri-tjetrin. /Burimi: “Il Venerdi”/Në shqip nga: Bota.al/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëRefuzimi amerikan ndaj kërkesës së Leka Zogut për ta përmbysur Enver Hoxhën me ndihmën e sauditëve
Gruaja serbe që ndikoi në zgjerimin e Perandorisë Otomane
Fjalë të urta popullore: Gjuha kocka s'ka e kocka thyen
BABA
Për Jeffin, Fadilin dhe “Një letër për Xhevdet Bajrajn”
Thënie shkodrane: Zoti të dhashtë bereqet n’tru!
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
Më të lexuarat
Befasia e këtij fillim viti: Nga Spanja raportojnë se Messi po rikthehet te Barcelona
Surpriza tejet e veçantë për Vullnetin: Niset për në Negroc për t'i takuar familjarët e tij
Musk po shkakton telashe në Evropë - çfarë përfiton ai nga kjo?
Olta Gixhari shkëlqen në finalen e Big Brother VIP Kosova me një pamje mahnitëse
100 milionë euro? As kjo nuk e bindi yllin e Real Madridit të braktiste Bernabeun për Chelsean e Abramovichit
Xuxi surprizohet nga familja e tij në finalen e Big Brother VIP Kosova