LAJMI I FUNDIT:

Integrimi i veriut të Kosovës

Në gjithë Kosovën problemi i veriut diskutohet me ankth. Për të flitet si për një problem të pazgjidhshëm që po e mban Kosovën në lak, se e shkaktuan ndërkombëtarët se “ata me dashtë e zgjidhin për një minutë”, etj.

E vërteta është se ndarja e Kosovës ka qenë plan i kahershëm i Serbisë, por që për realizimin e këtij plani më shumë kanë kontribuar shqiptarët se sa serbët. Faji i ndërkombëtarëve qëndron vetëm deri në masën sa janë të përlyer në korrupsion me vendorët.


Nuk është e vërtetë ajo që pretendohet se diku në një zyrë në Uashington a Bruksel është planifikuar që çështja e Mitrovicës të mbetët zvarrë për ku ta dimë se çfarë interesi. Shkurt e shqip, problemin e veriut të Kosovës e kanë shkaktuar hajnat, budallenjtë dhe tradhtarët e Mitrovicës e të krejt Kosovës.

Si të integrohet veriu i Kosovës?

Kur dëshiron ta integrosh një territor, atëherë mënyra më efikase është që ta marrësh territorin nën kontroll me dhunë dhe ta shfarosësh popullsinë e atij territori. Por kjo metodë në kohën e globalizmit është e pamundur. Këtë nuk e arriti Millosheviqi me Kosovën, e këtë nuk mund ta arrijë as shteti i Kosovës me veriun e Kosovës. Për të integruar jo vetëm territorin, por edhe popullsinë kjo është një punë më e zorshme, por jo e paarritshme.

Gjeja e parë për të integruar një popullsi është të kesh kredibilitetin moral. Në këtë aspekt, Kosova deri më 2004 ishte në rregull. Luftën nuk e kemi nisur ne, e ka nisur Serbia. Ne e fituam, Serbia e humbi. As para, as gjatë luftës, shqiptarët nuk u sulën drejt veriut të Kosovës. Sikur të mos ishte aksioni fatal i 25.07.2011 dhe 17 e 18.03.2004, Kosova do të ishte e pastër si loti në ketë drejtim. Por, këto dy gjëra i bënë shqiptarët pikërisht në momentin që i duhej Beogradit.

Çfarë po i ofrojmë veriut?

Kur e ke kredibilitetin moral, atëherë gjëja e dytë është të kesh se çfarë të ofrosh. Kosova që kishte në krah shtetet më të zhvilluara të botës dhe kishte se çfarë të ofronte: paqe, mirëqenie ekonomike e demokraci. Qyteti, ku serbët e veriut të Kosovës do të mund t’i shihnin këto vlera, nuk është as Prishtina, as Prizreni, por Mitrovica, pjesa e saj jugore.

Çfarë shohin serbët në jug të Mitrovicës?

Shohin po të njëjtën gjë çfarë shohin shqiptarët. Nga mirëqenia ata shohin se si çdo ditë e më shumë varfërohet dhe rritet numri i të papunëve. Shohin se si autoritetet komunale i dëbojnë suedezët dhe refuzojnë ndihmën e tyre në planifikimin urban vetëm se duan të zhvatin sa më shumë. Shohin se si autoritetet komunale shkatërrojnë planet urbane që ishin dikur dhe ato që ata i quajnë plane, s’kanë lidhje me rregullat elementare të urbanizmit. Shohin se edhe kur Bashkimi Evropian jep miliona euro, bëhet më keq e jo më mirë.

Me milionat e Bashkimit Evropian më shumë dëm se dobi

Shembulli më flagrant është donacioni prej 13 milionë eurove që BE i ndau Mitrovicës. Në Mitrovicë është nami i rrugëve të pashtruara, lagje të tëra qelbën nga kanalizimet, pothuaj e tërë krahina e Shalës është zbrazur nga banorët nga mungesa e rrugëve, shkollave, ambulanteve dhe kushteve për jetë.

Ankesat e banorëve zakonisht marrin përgjigje: “Eh nuk keni dashtë me votu për ne”. Në përgjigjen se “në fshatin tonë keni fituar ju”, iu thuhet “e dimë ne se si kemi fituar”.

Çfarë ndodhi me 13 milionët e BE?

Thanë, hajt po e bëjmë një qendër biznesi! Ku? Në parkun e vetëm të qytetit. Se sa ishte i nevojshëm ky objekt, ku po derdhen miliona euro e po shkatërrohet parku i vetëm në njërin prej dy qyteteve më të ndotura në Evropë, e tregon fakti se aty ngjitur është Qendra e Kulturës “Rexhep Mitrovica” ku më shumë se gjysma e hapësirave të saj janë të zbraztë.

Dhe ku tjetër do të harxhohen këta miliona euro? Në sheshin qendror të qytetit, i cili nuk është ku ta di se çfarë, por që nuk kishte ndonjë behane karshi prioriteteve që ka qyteti i shkretë i Mitrovicës.

Këtu me arsyetimin se drunjtë 50-70 vjeçar e kanë prishë betonin duan t’i prenë për të mbjellë fidanë. Këtë të keqe Mitrovicës nuk ia ka bërë as Millosheviqi. Ai i dogji 64% të shtëpive në Mitrovicë, por ato u rindërtuan brenda 2 viteve, por prerja e pemëve në sheshin qendror është një gjë që nuk riparohet për 50 – 70 vjet.

Përse e bëjnë këtë?

E bëjnë që ta fryjnë projektin. Se pari, mëditjet e “ekspertëve” a duhen prerë apo jo drunjtë? Pastaj tenderi për prerjen e drunjve. Ka raste ku për prerjen e një druri, Komuna e Mitrovicës ka paguar sharrëxhiun mbi 2 mijë euro. Pastaj tenderi për përzgjedhjen e fidanëve, tenderi për mbjelljen e fidanëve etj. Thjesht, nuk kanë ditur ndryshe se si t’i shpenzojnë milionat e BE, andaj kanë gjetur rrugën më të shkurtër për t’i vjedhur.

Në pamundësi për t’i ndalur këta banditë shkatërrimtarë, disa qytetarë i jemi drejtuar me shkrim Brukselit me lutjen: “Aman, mos na shkatërroni ambientin ku jetojmë me para të taksapaguesve evropianë!”

Kur qeveriset me vota të vjedhura

Si i lejon këto gjëra kryetari i Komunës? S’ka se si të mos i lejojë kur secili hajdut i shkon në zyre e i thotë “kaq vota kam vjedhë për ty”.

Komisionari Lavdim Musa, që falsifikoi proces-verbalin e votimit në Tunel të Parë, duke i vënë votat e autorit të këtyre rreshtave atij që me këto “vota” do të bëhej kryetar komune, dhe votat e këtij të fundit autorit të këtyre rreshtave, me çka ka përmbysur tërësisht rezultatin zgjedhor, si shpërblim është punësuar në komunë. Këtë e di gjithë Mitrovica, e di edhe policia që ka hetuar rastin dhe ia ka dorëzuar prokurorisë, por prokuroria apo gjykata këtë e mbanë në sirtarë që 3 vjet. Këtë e di edhe kryeprokurori Ismet Kabashi, edhe kryetari Këshillit të Drejtësisë Enver Peci, por nuk kanë kurajën patriotike të kërkojnë llogari nga vartësit e tyre për këtë neglizhencë.

Për më tepër, vetë ai që përfitoi nga kjo hajni dhe u bë kryetar komune, ia “lejoi feja” që t’i pranonte votat e vjedhura përkundër faktit që disa hoxhallarë bënin fushatë për të si për një mysliman të mirë që të premten e ka ditë pushimi.

Si t’i bindim serbët e veriut të integrohen në shoqërinë kosovare?

T’u themi pranoni sistemin tonë ku Lavdim Musa dhe shumë Lavdima të tjerë do t’ua vjedhin votat?! T’u themi besoni prokurorive dhe gjykatave tona se ….?! T’u themi: ejani integrohuni në shoqërinë tonë se BE do të na japë miliona euro dhe me këto miliona ne do t’u presim pemët nga ku ju dhe ne marrim oksigjenin?! T’u themi, ejani me ne që të bëheni të varfër si ne?!

Nuk është se politikanët tanë nuk po përpiqen t’i joshin serbët e veriut, por ata nuk kanë qëlluar qorra e po shohin çfarë po ndodhë në jug të Mitrovicës. Ata nuk u binden lajkave por fakteve. Por, për t’u bërë faktet joshëse për serbët e veriut, duhen tjerë njerëz ta qeverisin Mitrovicën: njerëzit me vlera e virtyte prej të cilëve ka hair në radhë të parë jugu i Mitrovicë e më pas veriu dhe gjithë Kosova.