LAJMI I FUNDIT:

Instituti GAP: Patundshmëria, transporti dhe argëtimi – sektorët me aktivitet më të ulët gjatë pandemisë COVID-19 në Kosovë

Instituti GAP: Patundshmëria, transporti dhe argëtimi – sektorët me aktivitet më të ulët gjatë pandemisë COVID-19 në Kosovë

Patundshmëria, transporti dhe argëtimi janë disa nga sektorët që kanë shënuar rënie të qarkullimit të raportuara në Administratën Tatimore të Kosovës gjatë pandemisë COVID-19.

Kështu thuhet në raportin “Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike – mungesa e një qasje sektoriale“, prezantuar nga Instituti për Studime të Avancuara GAP, shkruan Telegrafi.


Sipas GAP, vendimet e Qeverisë së Kosovës për kufizim për të parandaluar përhapjen e sëmundjes nuk janë të njëjta për secilën industri.

“Pandemia COVID-19 ka goditur në mënyrë jo-proporcionale industri të ndryshme të ekonomisë në Kosovë. Meqë vendimet e Qeverisë së Kosovës për kufizim të aktivitetit biznesor dhe lëvizjes së qytetarëve të cilat ishin marrë për të parandaluar përhapjen e virusit nuk janë të njëjta për secilën industri, rrjedhimisht edhe efektet ekonomike dallojnë”, thotë GAP.

Raporti thotë se, ndihma e Qeverisë kanë qenë kryesisht uniforme në të gjitha industritë e ekonomisë.

“Duke u bazuar në të dhënat më të fundit të Administratës Tatimore të Kosovës, raporti tregon se aktivitetet ekonomike me rënien më të lartë të deklarimit të qarkullimit janë industria e arteve, argëtimit dhe rekreacionit me 79 për qind, patundshmëria me 44 për qind, transporti dhe magazinimi me 43 për qind dhe akomodimi dhe shërbimi ushqimor me 37 për qind. Përkundër kësaj, ndihmesat e Qeverisë së Kosovës kanë qenë kryesisht uniforme në të gjitha industritë ekonomike. Kjo qasje rrezikon që rimëkëmbja të vështirësohet te industritë e rëndësishme dhe strategjike të vendit”, thuhet në raport, përcjell Telegrafi.

Ndryshimi i dekarimit të qarkullimit nga industritë bazuar në tremujorë | Burimi: GAP

Në fund, Instituti GAP kërkon nga Qeveria duhet t’iu ndihmojë industritë që kanë rënie më të lartë.

“Krahas masave për ndihmë të përgjithshme ndaj biznesve, është e rëndësishme që masat vijuese, sikurse ato në pakon e paraparë për vitin 2021, të targetojnë industritë që kanë rënie më të lartë. Konkretisht, që shpërndarja e fondeve të jetë proporcionale me dëmin që kanë pësuar industritë”, thotë GAP. /Telegrafi/