LAJMI I FUNDIT:

Instituti GAP: Ka hendek të thellë në përfaqësimin gjinor në borde, burrat dominojnë në ndërmarrjet publike

Instituti GAP: Ka hendek të thellë në përfaqësimin gjinor në borde, burrat dominojnë në ndërmarrjet publike
Foto: Ilustrim

Ekziston një hendek i thellë i përfaqësimit gjinor në borde dhe pozita menaxheriale të ndërmarrjeve publike dhe agjencive të pavarura, kështu njofton Instituti për Studime të Avancuara GAP në raportin “Sfida 50/50: Zbatimi i kuotës gjinore në bordet e institucioneve publike“.

Sipas GAP, burrat vazhdojnë të dominojnë në udhëheqjen e ndërmarrjeve publike.


“Aktualisht ekziston një hendek i thellë i përfaqësimit gjinor në borde dhe pozita menaxheriale të ndërmarrjeve publike dhe agjencive të pavarura. Tek ndërmarrjet publike, mesatarisht 27 për qind e përbërjes së bordeve janë gra, ndërsa 28 për qind te agjencitë e pavarura. Në pesë nga 14 ndërmarrjet publike, gratë nuk janë fare të përfaqësuara. Në pozita menaxheriale të ndërmarrjeve publike dhe agjencive të pavarura vetëm 33 për qind janë gra, ndërsa vetëm dy kanë kryeshefe ekzekutive nga 32 institucionet e përfshira në këtë hulumtim”, thuhet në raport, përcjell Telegrafi.

Përfaqësimi gjinor në pozita udhëheqëse të ndërmarrjeve publike dhe agjencive të pavarura | Burimi: Instituti GAP

Deri më tani, ky institut thotë se institucionet publike kanë injoruar obligimin ligjor për përfaqësim të barabartë, duke interpretuar dispozitat e Ligjit për Barazi Gjinore si jo obligative.

“Në mbledhjen e nëntë të Qeverisë së Kosovës, për herë të parë u anulua një vendim për emërimin e anëtarëve të një bordi me arsyetimin se nuk ishte respektuar Ligji për Barazi Gjinore. Ky Ligj, që është në fuqi prej vitit 2015, kërkon përfaqësim të barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative, ekzekutive, gjyqësore dhe të tjera. Por, deri më tani, institucionet publike kanë injoruar obligimin ligjor për përfaqësim të barabartë, duke interpretuar dispozitat e Ligjit për barazi gjinore si jo obligative”, përfundon GAP. /Telegrafi/