Aktivistët e shoqërisë civile po protestojnë para Kuvendit të Kosovës, duke kundërshtuar bllokadën politike dhe mosfunksionimin e institucioneve.

Para nisjes së seancës së 41-të për përpjekjen e konstituimit të Kuvendit, aktivistët e shoqërisë civile po kërkojnë përgjegjësi dhe veprime konkrete nga partitë politike.


Ata mbajnë pankarta me mesazhe të forta si “Boll!”, “Karriget janë për punë, jo për pushtet”, “Nuk kemi kohë me humb” dhe “Institucionet nuk janë për pazare”.

Këto protesta vijnë si reagim ndaj bllokadës politike që vazhdon që nga përfundimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke penguar konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve të reja.

Në këtë kontekst, Gjykata Kushtetuese ka vendosur se procesi i konstituimit të legjislaturës duhet të përfundojë brenda 30 ditëve. /Telegrafi/