LAJMI I FUNDIT:

Institucionet ndërkombëtare financiare të gatshme të mbështesin sektorin privat në Kosovë pas përhapjes së pandemisë së Coronavirusit

Institucionet ndërkombëtare financiare të gatshme të mbështesin sektorin privat në Kosovë pas përhapjes së pandemisë së Coronavirusit
-->

Institucionet ndërkombëtare financiare janë duke vlerësuar sfidat dhe nevojat konkrete të sektorit privat, ashtu që të krijojnë instrumentet më adekuate për t’i përkrahur bizneset në tejkalimin e vështirësive me të cilat po të përballen si pasojë e pandemisë botërore të Coronavirusit.

Kjo u tha gjatë një forumi virtual të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, me përfaqësues të Bankës Botërore (BB) dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Leonora Kusari, menaxhere kryesore në Departamentin Këshillues për Biznese të Vogla në BERZH, theksoi se meqë kjo bankë e ka në fokus sektorin privat, është munduar që në shpejtësi të ju përgjigjet çështjeve që lidhen me likuiditetin dhe transformimin e bizneseve duke e konsideruar ndikimin e pandemisë.

Ajo tha se pakoja e solidaritetit nga banka kap shumën e një miliard eurove, ndërsa në fazën fillestare do të përkrahen partnerët ekzistues, përkatësisht bankat, bizneset dhe qeveritë, duke shtuar se mbesin të përkushtuar për zhvillimin e pakove të tjera financiare dhe të këshillimit për sektorin privat.

Kusari theksoi se BERZH po mundohet që të krijojë instrumente të adaptueshme për secilin regjion në të cilin operon, sidomos në pjesën e këshillimit dhe atë të madhësisë së shumave të dedikuara.

Ajo u shpreh se banka po synon krijimin e mundësive për përkrahje të sektorëve specifik njëkohësisht, por sidoqoftë krijimi i mekanizmave për instrumente përkatëse është procedurë që kërkon kohë.

Tutje, ajo u fokusua edhe në faktin se identifikimi i problemeve të bizneseve është i një rëndësie të veçantë për këtë bankë, ku edhe i inkurajoi bizneset që të njoftojnë BERZH-in lidhur me masat specifike që ata besojnë se duhet t’i përfitojnë. Kusari njoftoi klientët paraprak se për shkak të pandemisë, BERZH do të ofrojë asistencë edhe për kompanitë që më herët kanë qenë përfituese, gjë që në rrethana të tjera nuk do të ishte e mundur.

Blerta Qerimi, specialiste e lartë për Sektorin Privat në Zyrën e BB-së në Kosovë, potencoi se ky institucion është në diskutim të vazhdueshëm me Qeverinë për të gjetur mënyrat më të mira për mbështetje gjatë kësaj periudhe.

Ajo tha se ndikimi i krizës do të jetë enorm në aspektin ekonomik dhe social, prandaj duhet të shqyrtohen mundësitë më të favorshme për të ndihmuar sektorin privat në vend.

Qerimi theksoi se për Bankën Botërore është me rëndësi që t’i ketë të qarta problemet e bizneseve ashtu që sa më mirë t’u përgjigjet kërkesave të tyre, derisa theksoi se në fokus janë bizneset e mbyllura dhe të ndikuara direkt për shkak të restriksioneve që janë imponuar gjatë fazës emergjente, ato që prodhojnë dhe eksportojnë, ato që ndodhen në një shok financiar dhe nuk kanë mundësi t’i paguajnë kreditë e tyre, si dhe ato me probleme në zinxhirin e furnizimit.

Sipas Qerimit, BB për momentin është e fokusuar në dy projekte. Njëri që është në zbatimi e sipër e që ka të bëjë me rritjen e konkurrueshmërisë dhe aftësinë për eksport, të bizneseve. Ndërsa, projekti tjetër, i cili është duke pritur aprovim në parlament, ka të bëjë me rritjen e kapitalit të Fondit për Garanci Kreditore, i cili synon të lehtësojë kredidhënien dhe të bëj ndarjen e riskut mes kredidhënësit dhe kredimarrësit, sidomos për klientët që do të ballafaqohen me mungesë të kolateralit.

Për më tepër, Qerimi theksoi se banka po shqyrton mundësitë për riorientim të fondeve në vlerë rreth 10 milionë euro, që mund t’i mbështesin bizneset gjatë kësaj faze emergjente.

Gjatë këtij forumi panelistët përgëzuan organizatat e bizneseve që kanë pasur zë të përbashkët dhe kanë qenë ndërmjetësuesit më të mirë në bartjen e kërkesave të bizneseve, ndërsa theksuan gatishmërinë e tyre për bashkëpunim në zgjidhjen e problemeve të sektorit privat. /Telegrafi/