Instagram ka vendosur të rifreskojë logon me tekstin “Instagram”, e cila shfaqet në krye të aplikacionit dhe nuk kishte pësuar ndryshime të rëndësishme prej rreth 10 vitesh.

Lajmin e ka bërë të ditur kreu i Instagramit, Adam Mosseri, i cili tha se pas një dekade ishte koha për një përditësim të identitetit vizual të platformës.


Sipas Mosserit, versioni i ri është “më i pastër dhe më modern”, ndërsa ruan elemente dhe referenca nga dizajni origjinal i markës. Qëllimi, sipas tij, është që ndryshimi të jetë i dukshëm, por pa humbur karakteristikat që e kanë bërë Instagramin të dallueshëm.

“Fjala-logo në krye të aplikacionit nuk ka ndryshuar prej 10 vitesh, ndaj ishte koha për një rifreskim”, shkroi Mosseri.

Ai theksoi se dizajni i ri vazhdon të mbështetet te thjeshtësia dhe vëmendja ndaj detajeve, elemente që kanë qenë pjesë e identitetit të Instagramit që nga fillimet e tij.

Rifreskimi vjen në një periudhë kur platformat e mëdha teknologjike po përditësojnë vazhdimisht identitetet e tyre vizuale, në përpjekje për t’iu përshtatur ndryshimeve në mënyrën se si përdoruesit ndërveprojnë me aplikacionet. /Telegrafi/