Inspektorati i Tregut në terren, kontrollohen të gjithë marketet në Maqedoninë e Veriut

Inspektorati Shtetëror i Tregut deri më 20 maj do të zhvillojë kontrolle në të gjitha zinxhirët e marketeve.
Nëse konstatohet se ka rritje të marzhave dhe fryrje të çmimeve do të ndërmerren masa përkatëse, njoftoi sot ministri i Ekonomisë Besar Durmishi.
Sipas Durmishit, 30 ekipe inspektuese janë në terren dhe sipas tij, nga informacionet e katër ditëve të para të kontrolleve, është vërejtur një ulje e caktuar e çmimeve të frutave dhe perimeve.
Në muajin e kaluar pati rritje të çmimeve të produkteve ushqimore, por edhe ulje të marzhës nga ana e tregtarëve me rreth një për qind ndërsa shtoi se Ministria po e ndjek vazhdimisht situatën dhe do të vazhdojë me zbatimin e masave për stabilizimin e çmimeve dhe mbrojtjen e standardit të qytetarëve.
Sa i përket rritjes së inflacionit në 5,7%, Durmishi tha se kjo ndodh për shkak të krizës globale.
Ai theksoi se Qeveria reagon me masa përkatëse. Në këtë kuadër, përmendi edhe një masë të re për bashkëfinancimin e zejtarëve dhe ndërmarrjeve të vogla e të mesme, me qëllim rritjen e produktivitetit dhe prodhimit.















































